Meksika ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/32-ës së finales së Kupës së Botës pas fitores minimale 1-0 ndaj Koresë së Jugut në stadiumin “Akron”. Falë këtij triumfi, “El Tri” regjistroi tri fitore radhazi në një Botëror për herë të parë në historinë e saj.
Pas suksesit bindës ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse, meksikanët e dinin se do të përballeshin me një kundërshtar më të vështirë. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me pak raste të pastra shënimi. Mundësia më e mirë i takoi Julian Quiñones, i cili devijoi me kokë një harkim të Roberto Alvarados, por portieri Kim Seung-Gyu reagoi në mënyrë të shkëlqyer për të shmangur golin.
Barazimi mes Republikës Çeke dhe Afrikës së Jugut më herët gjatë ditës bëri që të dy skuadrat të hynin në këtë sfidë pa shumë presion, gjë që ndikoi në ritmin e lojës. Pas rastit të Quiñones, asnjëra skuadër nuk arriti të regjistronte një goditje tjetër në portë gjatë pjesës së parë.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi menjëherë pas pushimit. Në minutën e 50-të, portieri koreano-jugor Kim Seung-Gyu bëri një gabim të rëndë duke lëshuar topin nga duart brenda zonës. Luis Romo përfitoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke dërguar topin në rrjetë për golin e parë dhe të vetëm të takimit.
Koreja e Jugut u përpoq të reagojë në minutat e fundit, me Gue-Sung Cho që iu afrua barazimit, por portieri Raúl Rangel bëri një pritje vendimtare për të ruajtur epërsinë e skuadrës së tij.
Fitorja i siguron Meksikës kalimin në raundin eliminator dhe njëkohësisht hakmarrjen për eliminimin në fazën e grupeve në Kupën e Botës 2022. Ndërkohë, Koreja e Jugut mbetet pa fitore ndaj përfaqësueseve të CONCACAF-it në historinë e Botërorëve dhe do të përballet me Afrikën e Jugut në një ndeshje vendimtare për fatin e saj në turne. /GazetaExpress/