Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në EURO n’T7 ka akuzuar partitë opozitare se kanë bllokuar reformat në energji elektrike, ani pse ka pranuar se Lëvizja Vetëvendosje i ka pasur numrat e nevojshëm për t’i votuar ligjet me të cilat do të bëhej kjo reformë.
Kjo sipas saj ka ndodhur në disa raste kur partitë opozitare kanë ardhur në Kuvend vetëm sa për ta bllokuar miratimin e këtyre ligjeve, sepse po të mos ishte opozita, sipas saj, në sallë, ligjet do të kalonin me 2/3 e të pranishmëve.
Ministrja gjatë kësaj interviste ka folur edhe për importin e madh të energjisë elektrike, duke dhënë shpjegime tjera për shifrat e publikuara e ku është thënë se janë rreth 1.2 miliardë euro.
“Këto shifra nuk janë të sakta, sepse në raportin e publikuar nga Instituti GAP, duke iu referuar të dhënave të Doganës, aty janë përfshirë edhe transaksionet për rrymën tranzit që ka kaluar nëpër Kosovë. Sipas informatave që kemi marrë nga KESCO dhe KEDS-i, na kanë thënë se nga 259 milionë që thuhet se është import të energjisë, janë vetëm 168 milionë për energjinë e importuar në Kosovë”, ka thënë Rizvanolli.
Në anën tjetër, ministrja ka thënë se kur flasim për importin duhet folur edhe për investimet e bëra në KEK e që sipas saj janë investime që kanë munguar në 40 vitet e fundit dhe se këto investime po bëhen për ta ulur importin e energjisë elektrike.
“Investimi që është bërë vjet në KEK vetëm në termocentralin Kosova B, në bllokun B2, dhe investimet e tjera që janë në proces, si dhe megavatët shtesë që janë 35, dhe nëse i llogarisim ato me çmimin aktual të importit, mund të themi se kemi një vlerë prej 49 milionë euro. Kjo do të thotë që për tri apo katër vite kthehet investimi që kemi bërë dhe reduktohet nevoja për import të energjisë elektrike”, ka shtuar Rizvanolli.
Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, ka thënë se me investimet që janë në proces në KEK do të ulin nevojën e importit të energjisë së Kosovës.