Shkruan: Bislim Elshani
Kamioni me mitingashë VV-istë që iu bashkua protestave në rrugët e Tiranës më ngjan me mitingashët e dikurshëm të Miroslav Sholeviqit në Prishtinë, të cilët ia dolën që, pas heqjes së autonomisë kosovare, të hidhen në Vojvodinë dhe ta rrëzojnë udhëheqjen e saj legjitime në vitin 1989, duke i gjuajtur udhëheqësit me gota plastmasi të mbushura me kos. Ndoshta edhe këta nga Prishtina duan t’i befasojnë me këtë përvojë vëllezërit tanë në Tiranë, prandaj është mirë që policia shqiptare t’ua kontrollojë kamionin dhe t’ua konfiskojë pakot e fshehura me jogurt. Kësisoj do ta shpëtonin qeverinë socialiste nga “Revolucioni i dytë i jogurtit” në një vend ballkanik.
Mirëpo, duke qenë se nacionalistët tanë nuk i pëlqejnë imitimet dhe preferojnë të jenë origjinalë e autentikë, atëherë nuk është çudi që në kamionin e tyre të mos kenë fshehur, në vend të kosit, ndonjë arkë me domate, patate, tranguj apo vezë. Kështu që revolucioni i synuar mund të fitojë emërtime origjinale si “Revolucioni i domateve”, “Revolucioni i patateve”, “Revolucioni i kastravecave” apo “Revolucioni i vezëve”. Gjithsesi, policia shqiptare do të duhej të tregohej vigjilente edhe për këta artikuj.
Në analogji me revolucionin e Sholeviqit, që frymëzohej nga kënga “Oj Srbijo iz tri dela, ponovo ćeš biti cela!”, edhe revolucioni ynë i ri, me gjasë, do të bjerë në një skemë të ngjashme: “Oj Shqipni, o moj sorkadhe, përsëri do t’jesh e madhe!” Kështu, së paku, ëndërron ndonjë fantast nga Prishtina, si puna e z. Ramabaja, i cili e thotë hapur se Piemonti i ri shqiptar në Ballkan është Prishtina dhe jo Tirana.
E di se nacionalistët do të më turren për këtë krahasim të pacipë. Mirëpo kjo vjen ngaqë yryshtarët e mi kosovarë, nuk shoh se do të kenë ndonjë shans për të bërë ndonjë shtet të ri unitar, i cili, edhe po u bashkua, nuk do të paraqiste problem sigurie për fqinjët. Mirëpo rruga që ndjekin ata më duket rrugë pa krye, sepse duan ta rrezikojnë një subjekt juridik të pranuar ndërkombëtarisht me një subjekt akoma në diskutim; përkatësisht, duan ta rrezikojnë trupin e shëndoshë me një gjymtyrë në trajtim. Kjo do të thotë që, “në vend se t’i vënë vetulla, t’i nxjerrin sytë”.
Sepse as Kurti dhe as Rama nuk e kanë potencialin ushtarak dhe ekonomik, siç e kishte Millosheviqi në vitin 1989, për të imponuar një realitet të ri gjeopolitik që do të nënkuptonte një shtet-komb të ri në Ballkan. Për hesapin tim, gjasat për një llogari të tillë janë baras me zero. Dhe a nuk pati dështuar edhe vetë Millosheviqi, me gjithë potencialin e tij të jashtëzakonshëm ushtarak?
Për çudi, kësaj fushate iu bashkua kohët e fundit edhe gazeta “Koha Ditore” dhe pronari i saj, bashkë me një analist kujdestar, të cilët zakonisht tregohen shumë të kujdesshëm. Mirëpo sot ose kanë marrë sinjale ultimative nga ndonjë fuqi në prapaskenë, ose po e shohin rrezikun në faktin se një Shqipëri e integruar në BE do të bënte që z. Surroi të mos mund të shkonte as në vilën e vet në Qerret pa treguar pasaportën në Vërmicë.
Mirëpo, a nuk do të thotë kjo se “për inat të sime vjehrre, vete fle me mullixhinë”? Nëse nuk janë në pyetje interesa të tillë, kush garanton se e gjithë gurguleja e rrugëve dhe shesheve të Tiranës të mos ketë si synim atë që e thotë për bukuri sërish një sentencë popullore serbe: “Sjaši Murta da uzjaše Kurta” (Të zbresë Murti që të hipë Kurti), përkatësisht, të zbresë Edi Rama që të hipë Sali Rama?
Sepse shanset që të vijë në krye ndonjë si puna e zotërinjve Llapaj, Qorri apo ndonjë figurë tjetër e re, akoma e pazbuluar, siç rezultoi nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, janë të kurrëfarshme. Nuk shoh ndonjë arsye bindëse që atmosfera e re “revolucionare” në Shqipëri të prodhojë diçka më të pastër (sa i përket korrupsionit dhe flirteve me oligarkët) e më të avancuar (sa i përket faktorit shqiptar në Ballkan). Përkundrazi, gjithçka bie erë manipulim, injorancë, mediokritet dhe sharlatanizëm.