Shkruan: Ermal Sadiku
Të dashur shqiptarë në Shqipëri,
Për ju që nuk e dini, unë e dua Shqipërinë. E dua dhe e shoh si vendin tim. E ëndërroj një ditë të jemi bashkë, me një shtet dhe një flamur.
Derisa jemi dy shtete, unë dua një Kosovë të fuqishme, të sigurt dhe evropiane. Besoj se njësoj ndiheni edhe ju për Shqipërinë.
Jam në politikë vetëm pesë muaj dhe tani më duhet të jem më i kujdesshëm me deklaratat e mia. Sot paguhem nga buxheti i shtetit dhe i përgjigjem qytetarëve të Kosovës.
Po ju shkruaj jo si politikan.
Po ju shkruaj si një njeri që ka gabuar.
Jam kthyer të jetoj në Kosovë në vitin 2010, pas studimeve në Gjermani. U ktheva pa ndonjë plan të madh. Mendoja se shkollimi, përvoja dhe gjuhët e huaja do të mjaftonin që ky vend të më jepte një mundësi. Mendova se vendi im do të kishte nevojë për mua.
Nuk doli ashtu.
Për një vit mbeta pa punë. Më shumë mora ofendime dhe nënçmime nga institucionet sesa mbështetje. Me dyer që mbylleshin. Me zyrtarë që të shikonin sikur po u kërkoje një favor, e jo një mundësi për të kontribuar.
Atëherë vendosa të mos pres më nga shteti. Ishte një shtet i ri dhe i varfër.
Nisa disa kompani që dështuan, derisa njëra ia doli. Një startup i vogël në inxhinieri softuerike që jo vetëm më dha mua një rrugë dhe një vizion, por krijoi mundësi për qindra të rinj në Kosovë. U bë frymëzim për shumë të tjerë që të ndiqnin të njëjtën rrugë. Nga ajo kompani u trajnuan njerëz që më pas hapën kompani të tjera. Kosovës i erdhën mbi 20 milionë euro drejtpërdrejt dhe qindra milionë të tjera tërthorazi.
Por brenda meje ishte grumbulluar mllefi i asaj kohe kur u ktheva. Një inat që e kisha shumë të vështirë ta luftoja.
Ai mllef ma kishte errësuar pamjen për shtetin tim.
Në të njëjtën kohë po ngrihej një lëvizje politike që ushqehej pikërisht me atë mllef. Vetvendosje. Me populizëm dhe demagogji filloi të ndikonte te secili prej nesh që kishte përjetuar padrejtësi, keqpërdorim apo thjesht ndonjë dështim personal në Kosovë.
Dhe unë e besova.
Si shumë të tjerë.
E besova sepse tingëllonte bukur.
Sepse kur je i lënduar, është shumë e lehtë t’i besosh atij që të thotë se fajin e kanë të gjithë të tjerët.
Kërkova ndryshim politik. Hyra në botën televizive dhe për disa vite u rreshtova më shumë në atë anë.
Dhe një ditë kuptova se po harroja gjërat më të rëndësishme.
Po harroja sakrificën e njerëzve që na sollën lirinë.
Po harroja Kosovën e rrënuar që doli nga lufta.
Po harroja miqtë që na qëndruan pranë kur nuk kishim asgjë.
Po harroja se shtetet nuk ndërtohen me zemërim.
Ndërtohen me punë.
Ndoshta ishte e nevojshme ta provonim edhe këtë. Ndoshta nuk do të shëroheshim kurrë nga ai mllef pa e parë vetë se ku të çon. Ndoshta duhej të preknim vetë zjarrin për ta kuptuar se djeg. Ndonjëherë realiteti është mësuesi më i mirë. Të godet fort në fytyrë dhe të zgjon.
Kosova e gjashtë viteve të fundit po rrëshqet drejt asaj humnerës që dikur e kishim brenda vetes. Depresion ekonomik, polarizim, urrejtje shoqërore, pak punë dhe shumë fjalë. Partia në pushtet vazhdon të flasë me gjuhën e opozitarit, vazhdon të ofendojë e të linçojë, ndërsa Kosova mbetet prapa rajonit dhe Evropës.
Nuk kam ardhur t’ju jap leksione për politikën në Shqipëri.
Nuk po ju shkruaj për t’ju treguar kë të votoni.
Nuk po ju shkruaj për të mbrojtur Edi Ramën.
Pajtohem me shumë prej jush që Edi Rama duhet të pensionohet. Në fakt, mendoj se çdo politikan në Ballkan që kalon më shumë se dhjetë vjet në pushtet duhet të largohet. Edhe po të ishte nga partia ku jam unë sot.
Pajtohem se arsimi dhe shëndetësia në Shqipëri mund të jenë shumë më mirë. Pajtohem se ka padrejtësi në biznes dhe se imoraliteti politik shpesh është në kulm.
Por ju lutem, sinqerisht dhe vëllazërisht: ndërsa kërkoni një alternativë, kini kujdes nga populistët.
Kini kujdes nga ata që “bërtasin, shajnë e kanë gojën plot demokraci”.
E di sa bukur tingëllojnë këto fjalë kur je i zhgënjyer.
Dinjitet. Barazi. Drejtësi. Populli. ose “Ne nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur.”
I kemi dëgjuar edhe ne këto slogane. I kemi besuar. U kemi dhënë votat. Në fakt, më shumë se votat. U kemi dhënë besim dhe dashuri.
Por populistët zakonisht mbeten vetëm te fjalët. Te zemërimi. Te urrejtja. Ndërsa shteti mbetet prapa.
Ruajeni Shqipërinë, shoqni.
Ruajeni nga urrejtja.
Ruajeni nga përçarja.
Ruajeni vendin tuaj dhe timin. Sepse është një vend i mirë.
Ju dua
Ermal Sadiku është deputet i LDK’së në Kuvendin e Kosovës. Titulli është i redaksisë.