Real Madridi do të merret me formësimin e skuadrës së Xabi Alonsos verën e ardhshme, me mesfushën që është një nga repartet që do të shqyrtohet.
Nico Paz pritet të riblehet nga Como dhe bashkë me të në “Bernabeu” mund të mbërrijë edhe Kees Smit.
Smit ishte kundërshtar i Dritës në Ligën e Konferencës gjatë ndeshjeve të fazës së ligës, me holandezin e AZ Alkmaar që fituan 3-0 në “Fadil Vokrri”, në javën e pestë të kësaj faze.

Real Madridi ka qenë i interesuar për Smit që nga vera, por javët e fundit ai ka ngritur ndjeshëm nivelin e tij.
Kjo ka bërë që shumë klube të tjera t’i bashkohen garës për nënshkrimin e lojtarit të AZ Alkmaar, gjë që do ta komplikojë një transferim të mundshëm drejt kryeqytetit spanjoll.
Edhe çmimi i kërkuar mund ta vështirësojë marrëveshjen, pasi Fabrizio Romano raporton se AZ pritet të kërkojë mbi 60 milionë euro për ta lënë Smitin të largohet.
“Të gjitha klubet e mëdha janë të interesuara. Real Madridi e ka vëzhguar lojtarin, pa dyshim. Klubet në Angli e kanë vëzhguar lojtarin, gjithashtu. Klubet më të mëdha, shumë të mëdha në Angli. Të gjitha klubet e mëdha po e ndjekin këtë djalë. Kur shihni në media shifra si 45-50 milionë euro për Kees Smit, ajo që mund t’ju garantoj sot është se AZ Alkmaar absolutisht nuk po e shet lojtarin për 45-50 milionë euro”, tha Romano.
“Duhet shumë më tepër për ta shitur lojtarin. Jo në këtë afat kalimtar të janarit. Burimet më tregojnë se AZ tashmë ka marrë oferta rreth 60 milionë euro dhe AZ ka thënë jo. Pra, për ta, lojtari vlen shumë më tepër sesa shifrat e raportuara 45-50 milionë euro. Çmimi është më i lartë”, vazhdoi ai.
“Pra, për Kees Smit ka shumë interes, disa klube janë të etura. Në Spanjë, Real Madridi. Në Angli, të gjitha klubet e mëdha. Ka shumë vëmendje mbi këtë djalë, ai me siguri do t’i bashkohet një klubi shumë, shumë, shumë të madh. Në këtë fazë, nuk është një marrëveshje për afatin kalimtar të janarit”, përmbylli ai.
60 milionë euro është një shumë marramendëse për një lojtar që është vetëm në sezonin e tij të dytë në futbollin profesionist, por Smit është pa dyshim një talent i madh.
Real Madridi ka treguar edhe më parë se është i gatshëm të shpenzojë shuma të mëdha për objektivat e duhur, ndaj ekziston mundësia që ata të tentojnë transferimin e tij në vitin 2026./GazetaExpress/