Kandidati për kryeministër të Kosovës, Ardian Gjini ka bërë një rrëfim tejet prekës për kohën e luftës, duke treguar edhe rastin e rëndë të rënies së Përmet Vulës dhe Elton Zherkës, dy heronjtë e Kosovës.
Ai në një intervistë më ndryshe, ka folur si rrallë herë për periudhën e luftës, duke treguar edhe se si ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj ishte ai që e mbante lartë vullnetin e ushtarëve edhe në kohën kur kishte rënë vëllau i tij, heroi i kombit, Luan Haradinaj.
Gjini foli për rënien e Përmet Vulës dhe Elton Zherkës, dy heronjtë që shqiptarët i kujtojnë edhe përmes këngës “Yjet e Gjakovës”, duke thënë se momenti i rënies së tyre ka qenë ndër më të rëndët dhe që si harron asnjëherë.
“Moment i rëndë ka qenë kur kam pas me ju dhënë lajmin prindërve që djemtë e tyre janë vrarë. Kurrë nuk e harroj momentin kur jam taku me prindërit e Elton Zherkës dhe Përmet Vulës, kam qenë vet i treti edhe jemi detyru me i dhanë lajmin, që janë vra dy ushtarë të jashtëzakonshëm, dy djem të jashtëzakonshëm, miq të ngushtë të vëllaut tim, që i kam njoftë krejt si fëmijë. Ka pas momente të jashtëzakonshme”, ka thënë Ardian Gjini në një intervistë në T7.