Përleshjet mes tifozëve të futbollit dhe policisë në mbarë Francën kanë çuar në mbi 400 arrestime pas fitores së Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit.
Mijëra efektivë policie u angazhuan për të frenuar trazirat, të cilat shkaktuan ndërprerje në shërbimet e autobusëve, trenave dhe transportit hekurudhor në kryeqytetin francez, Paris.
Gjatë festimeve u hodhën fishekzjarre dhe flakadanë, ndërsa disa policë mbetën të lënduar. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat në qendër të qytetit.
Ngjarje të ngjashme dhune kishin ndodhur edhe vitin e kaluar, kur PSG fitoi të njëjtin trofe, me festimet që atëherë kishin përfunduar edhe me viktima. Këtë herë, sipas ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nuñez, autoritetet kishin marrë masa më të forta sigurie dhe kishin vendosur një sistem “shumë të fuqishëm dhe të qëndrueshëm”.
Bulevardi ikonik Champs-Élysées u mbush me tifozë menjëherë pasi skuadra parisiene triumfoi pas ekzekutimit të penalltive.
Pamjet nga Parisi tregojnë përdorimin e flakadanëve, djegien e biçikletave elektrike në rrugë dhe dëmtimin e fasadave të disa bizneseve nga festuesit.
Më herët gjatë ditës pati përplasje mes policisë dhe tifozëve që ishin mbledhur për të ndjekur finalen në ekranet gjigante në stadiumin Parc des Princes.
Policia bëri të ditur se gjatë trazirave u dëmtuan gjashtë automjete, dy biznese dhe një stacion autobusi.
Sipas autoriteteve, deri në orët e para të së dielës ishin arrestuar 416 persona, prej të cilëve 280 vetëm në Paris.
Laurent Nuñez deklaroi se shtatë policë kanë mbetur të lënduar dhe i cilësoi incidentet si “absolutisht të papranueshme”.
Lojtarët e PSG-së pritet të marrin pjesë të dielën pasdite në paradën e fitores, e cila do të përfshijë një marshim në zonën e Champ de Mars pranë Eiffel Tower, si dhe një pritje të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron.
🇫🇷 PARÍS HA CAIDO
— Dani Lerer (@danilerer) May 30, 2026
Tras la obtención de la Champions League por parte del PSG, París se ha convertido en zona de guerra.
Acá vemos las consecuencias de la cobardía de los líderes europeos. pic.twitter.com/yogDbgWXKJ