Reagon KMDLNJ: Valon Syla njëri ndër gazetarët e opinionistët që u kërcënuan më së shumti - Gazeta Express
string(88) "reagon-kmdlnj-valon-syla-njeri-nder-gazetaret-e-opinionistet-qe-u-kercenuan-me-se-shumti"

Reagon KMDLNJ: Valon Syla njëri ndër gazetarët e opinionistët që u kërcënuan më së shumti

Lajme

Gazeta Express

12/04/2023 12:09

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar pas sulmit të mbrëmshëm ndaj Valon Sylës duke thënë se dhuna fizike ndaj gazetarëve po shndërrohet në një dukuri duke shtuar se “kësaj dhune po i paraprinë fillimisht një linçim publik medial”.

Ky këshill konsideron se Valon Syla është njëri nga gazetarët opinionistë që është kërcënuar më së shumti.

Lexo Edhe:

“Gazetari Valon Syla është njëri ndër gazetarët opinionistë që ishte kërcënuar më së shumti për shkak të qëndrimeve që i kishte për personalitete politike dhe jo vetëm politike sikur edhe fenomeneve me të cilat po përballet shoqëria.”

KMDLNj ka thënë se kërcënimet ndaj gazetarëve po bëhen edhe nga bartës të posteve të rëndësishme në institucionet e Kosovës.

Deklarata e plotë:

KMDLNJ DËNON SULMIN NDAJ GAZETARIT VALON SYLA SI SULM NDAJ LIRISË SË SHPREHJES!

Në orët e vona të së martës, tre persona, deri tash të paidentifikuar sulmuan gazetarin Valon Syla duke i shkaktuar lëndime në kokë. Pas trajtimit në QKUK–ë, gazetari Valon Syla u lirua për trajtim në shtëpi dhe, për fat të mirë lëndimet nuk ishin të rënda. Duket se gazetari Valon Syla ishte përcjellur nga studioja e T7, deri në Lagjen “Bregu i Diellit“ ku edhe ishte sulmuar fizikisht. Nuk është ky sulmi i parë ndaj gazetarit Valon Syla sepse ishte sulmuar edhe më pare fizikisht ndërsa sulmuesi ishte dënuar me një gjobë, pasi qëndroi në mbajtje për një kohë. Duket se dhuna fizike ndaj gazetarëve po shndërrohet në një dukuri aq më parë që kësaj dhune po I paraprinë fillimisht një linçim publik medial dhe, për pasojë dhuna fizike po shndërrohet në ekzekutim fizik të një dhune psikike ndaj të cilit nuk po merren masa parandaluese. Për më keq, kërcënime ndaj gazetarëve po bëhen edhe nga bartës të posteve me rëndësi në institucionet e Kosovës të cilat nuk po dënohen nga askush përveç se po zënë vend në raportet ndërkombëtare të organizatave që merren me të drejtat e gazetarëve dhe lirisë së fjalës dhe të shprehjes.

Mandati i gazetarit është të informojë opinionin drejt dhe në mënyrë të pavarur ku kriteri profesional është kryesori dhe përcaktuesi dhe, në këtë drejtim askush nuk ka të drejtë të pengojë gazetarët në kryerjen e misionit të tyre. Në rast se dikush mund të vlerësojë se me ndonjë shkrim apo publikim i është cenuar, pa të drejtë personaliteti i tij dhe i është shkaktuar dëm i reputacionit të tij, KMDLNj sygjeron, siç ka vepruar edhe më parë që t’i drejtohen gjykatës përkatëse në mënyrë që ligji të përcaktojë dëmin që i është shkaktuar dhe të sigurojë satisfakcionin për dëmin e pësuar.

Gazetari Valon Syla është njëri ndër gazetarët opinionistë që ishte kërcënuar më së shumti për shkak të qëndrimeve që i kishte për personalitete politike dhe jo vetëm politike sikur edhe fenomeneve me të cilat po përballet shoqëria.

KMDLNj –ë dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla duke shpresuar që policia e Kosovës shpejt do të arrestojë dhunuesit që e sulmuan fizikisht gazetarin Syla aq më parë që i kanë informatat dhe përshkrimin e sulmuesve nga vet gazetari dhe se drejtësia do të vendoset në vend pas hetimeve dhe një procesi gjyqësor eventual.

Dhuna ndaj gazetarëve, krijues të opinionit duhet të mbrohet me ligj nga shteti e që, sidomos kohëve të fundit, shteti ka dështuar ta përmbush këtë detyrim ligjor madje, me disa paraqitje të papërgjegjshme vetëm ka kontribuar në pëprshkallëzimin e dhunës ndaj gazetarëve.

KMDLNj –ë ndjen keqardhje për dhunën ndaj Valon Sylës për shkak të qëndrimit të tij si gazetar dhe opinionist dhe e inkurajon të jetë aktiv dhe pakompromis edhe në të ardhmën, në mbrojtje së të vërtetës dhe afirmimit të lirisë së shprehjes, si njëra ndër të drejtat kryesore të njeriut që garantohet me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.