Një krijesë e pazakontë që po endet në rrugët e Seattle-it ka habitur dhe frikësuar banorët, të cilët fillimisht menduan se po shihnin një kafshë mutante apo një krijesë misterioze.
Kafsha e vogël me ngjyrë gri, trup të rrumbullakosur, këmbë jashtëzakonisht të gjata dhe shpinë shumë të shkurtër, u filmua së fundmi në lagjen Ballard, në veriperëndim të qytetit.
Pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, ku përdoruesit e krahasuan krijesën me kafshë mitologjike dhe personazhe nga filmat fantastikë.
Megjithatë, ekspertët e jetës së egër besojnë se bëhet fjalë për një rakun, të cilit banorët i kanë vendosur emrin Jimothy, dhe që vuan nga një gjendje jashtëzakonisht e rrallë fizike.
Fillimisht menduan se ishte mace
Krijesa u pa të hënën në mbrëmje nga Kiana Hall, e cila po ecte së bashku me partnerin pranë një dyqani në Ballard.
Ajo vuri re atë që fillimisht mendoi se ishte një mace e strukur poshtë një makine të parkuar.
Hall mbeti e habitur kur kafsha doli nga poshtë automjetit, kaloi një sipërfaqe me bar, u ngjit në disa shkallë dhe më pas u zhduk pas një gardhi.
Vetëm pasi pa shenjat karakteristike në fytyrë, ajo kuptoi se ishte rakun, por me një pamje krejtësisht ndryshe nga çdo rakun që kishte parë më parë.
Hall e publikoi videon në internet dhe e quajti kafshën Jimothy, pasi mendoi se emri i pazakontë i përshtatej pamjes dhe personalitetit të saj.
Brenda pak ditësh, videoja grumbulloi më shumë se pesë milionë shikime.
Vuan nga sindroma e shtyllës së shkurtër
Sipas ekspertëve, Jimothy mund të vuajë nga sindroma e shtyllës së shkurtër, një çrregullim i lindur jashtëzakonisht i rrallë që pengon zhvillimin normal të disa pjesëve të shtyllës kurrizore.
Në vend që të forcohen dhe të shndërrohen plotësisht në kockë, disa pjesë të rruazave mbeten kërc dhe bashkohen me njëra-tjetrën.
Kjo bën që kafsha të ketë një shpinë shumë më të shkurtër se zakonisht, ndërkohë që këmbët vazhdojnë të rriten në gjatësi normale.
Rezultati është një trup me formë të pazakontë, me këmbë të gjata dhe pjesë të mesme të shkurtuar.
Banorët e kishin parë edhe më parë
Videoja virale ndihmoi gjithashtu në zgjidhjen e një misteri lokal.
Një banor i Ballardit e njohu Jimothyn, pasi kishte regjistruar më herët një kafshë me pamje të ngjashme përmes kamerës së sigurisë së shtëpisë.
Një tjetër përdorues në Reddit shkroi se e kishte parë rakunin disa herë gjatë vitit të fundit në oborrin e tij.
“Zakonisht qëndron në pemën tonë të mollës”, tregoi ai.
“Kur e pamë për herë të parë, ishte me një grup rakunësh të tjerë, ndoshta vëllezërit dhe motrat e tij, por kohët e fundit e kemi parë vetëm.”
Një komentues tjetër bëri shaka duke shkruar: “Kjo është kafsha më tipike e mundshme për Seattle-in.”
Ekspertët thonë se duket i shëndetshëm
Marcie Logsdon, profesoreshë e asociuar në Spitalin Veterinar të Universitetit Shtetëror të Uashingtonit, deklaroi se Jimothy duket përgjithësisht në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas saj, kafsha po shfaq shenja inkurajuese se është në gjendje të mbijetojë në natyrë, pavarësisht deformimit fizik.
Një banor, i cili pretendon se e ka parë Jimothyn që kur ishte i vogël, tregoi se rakuni kishte lindur në një grup kedrash në oborrin e një fqinji.

Kur ishte i porsalindur, ai dukej “si një top i vogël me ngjyrat e rakunit” dhe ishte aq i vogël dhe i paqëndrueshëm, saqë nëna dhe dy rakunët e tjerë shpesh e bartnin gjatë lëvizjeve të natës nëpër oborre.
Familja e rakunëve u zhduk pasi pemët u prenë, rreth tetë muaj më vonë.
Banori tha se nuk e kishte parë më Jimothyn deri në fillim të vitit të kaluar, kur kafsha papritur kaloi përpara makinës me të cilën ai po udhëtonte, disa rrugë larg vendit ku kishte lindur.
“U gëzuam shumë kur pamë se ishte ende gjallë dhe po ia dilte”, shkroi ai.
Banorët e lagjes tashmë e kanë kthyer Jimothyn në një personazh lokal, ndërsa videoja e tij vazhdon të tërheqë miliona shikime dhe reagime në internet. /GazetaExpress/
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...