Një ekspeditë e guximshme në fund të oqeanit ka zbuluar pamje të jashtëzakonshme të dy anijeve të lidhura me eksploruesit e famshëm britanikë Ernest Shackleton dhe Robert Falcon Scott.
Studiuesit zbritën më shumë se 305 metra nën sipërfaqen e Detit të Labradorit për të gjetur mbetjet e anijes “Quest”, në të cilën Shackleton vdiq në vitin 1922.
Nga nëndetësja kërkimore, shkencëtarët e Shoqërisë Mbretërore Gjeografike Kanadeze, RCGS, u bënë njerëzit e parë pas më shumë se 60 vjetësh që e panë anijen nga afër.
Më pak se një javë më vonë, ekipi u nis sërish, këtë herë në kërkim të rrënojave të “Terra Nova”, anijes që e çoi Robert Falcon Scottin në ekspeditën e tij të fundit në Antarktidë.
Të dyja anijet lidhen me kulmin e të ashtuquajturës “Epoka Heroike e Eksplorimit Polar”, kur eksploruesit rrezikonin jetën në kërkim të zbulimeve, famës dhe lavdisë.
Tani, një brez i ri eksploruesish jo vetëm që i ka vizituar rrënojat e tyre, por ka përdorur teknologjinë më të fundit për t’i dokumentuar dhe ruajtur në formë digjitale.

U krijuan “binjakët digjitalë” të anijeve
Përmes teknologjisë së avancuar të imazherisë nënujore, shkencëtarët krijuan për herë të parë skanime në përmasa reale të dy anijeve historike.
Këta “binjakë digjitalë” e dokumentojnë gjendjen e sotme të “Quest” dhe “Terra Nova”, përpara se dallgët, korrozioni dhe kalimi i kohës t’i dëmtojnë më tej.
Ekspedita nisi në fillim të korrikut me financimin e RCGS-së. Ekipi u nis nga Instituti Oqeanografik “Woods Hole” në Masaçusets, me anijen kërkimore “Atlantis”.
Destinacioni i parë ishte Deti i Labradorit në Kanada, ku rrënojat e “Quest” ishin zbuluar në vitin 2024.
Anija ku Shackleton kaloi çastet e fundit
Ernest Shackleton njihet më së shumti për ekspeditën e vitit 1914 në Antarktidë, gjatë së cilës anija e tij “Endurance” u bllokua nga akulli.
Për muaj të tërë, Shackleton e udhëhoqi ekuipazhin përmes sipërfaqeve të akullta deri në Ishullin Elephant, në lindje të Antarktidës. Pavarësisht kushteve ekstreme, ai arriti t’i shpëtonte të gjithë njerëzit që ndodheshin në bord.
Në vitin 1921, Shackleton përdori anijen e gjuetisë së fokave “Quest” për një tjetër ekspeditë drejt jugut. Në janar të vitit 1922, ai vdiq në kabinën e tij pasi pësoi një atak në zemër.

Më pas, “Quest” iu shit një familjeje norvegjeze dhe për rreth katër dekada u përdor për gjuetinë e fokave në ujërat e Arktikut. Në vitin 1962, anija u dëmtua nga akulli dhe u fundos.
Për të arritur deri te rrënojat, studiuesit përdorën nëndetësen “Alvin”. E njëjta pajisje u përdor në vitin 1986 për ekspeditën e parë me njerëz drejt rrënojave të “Titanic”.
Ekipi zbriti përmes ujërave të errëta dhe të turbullta, derisa para tyre u shfaq pjesa e përparme e anijes.
“Në fillim kishte vetëm errësirë, por më pas, papritur, teksa afrohesh, shfaqet bashi i anijes. Është e pabesueshme”, tregoi drejtuesi i ekspeditës dhe shefi ekzekutiv i RCGS-së, John Geiger.
Ai e përshkroi takimin me anijen si një përvojë emocionuese.
“Të shihje anijen e Shackletonit dhe të mendoje se ai kishte qëndruar në atë kuvertë një shekull më parë ishte diçka thellësisht prekëse”, shtoi Geiger.
Rrjetat e peshkimit kishin dëmtuar anijen
Pjesa më e madhe e “Quest” vazhdon të jetë në gjendje relativisht të mirë, por ekspedita zbuloi edhe dëmtimet e shkaktuara gjatë më shumë se gjashtë dekadave nën ujë.
Rrjeta të mëdha peshkimi ishin kapur në strukturën e anijes dhe kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme.
“Rrjetat tregojnë një histori të trishtuar dhe na kufizuan mundësinë për t’i parë plotësisht rrënojat”, tha Geiger.
“Mendoj se duhet të marrim përgjegjësi për atë që po u bëjmë oqeaneve tona. Ky është një problem shumë i madh”, shtoi ai.
Ekipi nuk u mjaftua vetëm me vizitën te “Quest”. Menjëherë pas saj, studiuesit u nisën drejt veriut, në ujërat pranë Grenlandës, ku ndodhet “Terra Nova”.
Udhëtimi tragjik i Robert Falcon Scottit
“Terra Nova” ishte anija që e transportoi Robert Falcon Scottin dhe ekuipazhin e tij në ekspeditën fatale drejt Polit të Jugut.
Scott u nis në vitin 1910 dhe arriti në Polin e Jugut më 17 janar 1912. Atje zbuloi se eksploruesi norvegjez Roald Amundsen kishte mbërritur rreth një muaj përpara tij.




Gjatë rrugës së kthimit, Scott dhe katër anëtarët e tjerë të ekipit të tij humbën jetën nga i ftohti ekstrem, uria dhe rraskapitja.
“Terra Nova” u kthye në Britani duke sjellë lajmin tragjik për vdekjen e tyre.
Ashtu si “Quest”, edhe kjo anije iu rikthye pronarëve të mëparshëm dhe vazhdoi të përdorej në industrinë e gjuetisë së fokave pranë Newfoundlandit. Ajo u fundos në vitin 1943.
Duke përdorur sërish nëndetësen “Alvin”, studiuesit zbritën deri te “Terra Nova” dhe realizuan pamje të rrënojave.
Modele tredimensionale në cilësi të lartë
Përveç fotografive, ekipi përdori video me rezolucion të lartë 5.2K dhe teknologji të avancuar të imazherisë nënujore për të krijuar modele të plota tredimensionale të të dyja anijeve.
Këto modele u mundësojnë studiuesve t’i analizojnë rrënojat në detaje, pa pasur nevojë të ndërhyjnë fizikisht në to. Ato mund t’ia ofrojnë edhe publikut mundësinë për t’i eksploruar virtualisht anijet.
“Kjo formë e modelimit tredimensional përdoret në shkencën oqeanike vetëm prej disa vjetësh. Ajo po na ofron mënyra krejtësisht të reja për t’i eksploruar këto rrënoja historike dhe për t’i bërë ato më reale për publikun”, deklaroi Dwight Coleman, bashkëdrejtues shkencor i ekspeditës nga Instituti Oqeanografik “Woods Hole”.
Skanimet përbëjnë një arkiv të rëndësishëm historik dhe shkencor. Edhe nëse anijet vazhdojnë të shpërbëhen nga kushtet e oqeanit, versionet e tyre digjitale do të ruajnë historinë e dy prej ekspeditave më të njohura të eksplorimit polar. /GazetaExpress/
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...