Qeveria s’ka përgjigje kur mbërrijnë vaksinat anti-COVID, Kosova e fundit në Europë - Gazeta Express
string(81) "qeveria-ska-pergjigje-kur-mberrijne-vaksinat-anti-covid-kosova-e-fundit-ne-europe"

Lajme

Arbresha Berisha

27/12/2020 18:02

Qeveria s’ka përgjigje kur mbërrijnë vaksinat anti-COVID, Kosova e fundit në Europë

Lajme

Arbresha Berisha

27/12/2020 18:02

Shumë shtete të rajonit, përfshirë këtu edhe Serbinë, së fundmi janë furnizuar me vaksinën kundër COVID-19. Derisa BE ka miratuar përdorimin e vaksinës, Kosova thuhet se është ende larg furnizimit me të. Aq më shumë, akterë politikë në vend vlerësojnë se Kosova mund të jetë vendi i fundit që do të furnizohet me këtë vaksinë, raporton Gazeta Express.

Kosova ende nuk është furnizuar me vaksinën kundër COVID-19, përkundër që shumë shtete të rajonit tashmë kanë filluar vaksinimin e popullsisë.

Lexo Edhe:

Përkundër kësaj, as Qeveria e Kosovës e as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë informacione se kur do të fillojë furnizimi në vend.

Akterë politikë e njohës të shëndetësisë thonë se Kosova rrezikon të furnizohet e fundit në rajon me këtë vaksinë.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë për Express, se frikësohen që për shkak të neglizhencës së Qeverisë së Kosovës, Kosova do të mbetet vendi i fundit në rajon e Evropë që do të furnizohet me vaksina.

Ai ka thënë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk i ka informuar se kur dhe si do të filloj vaksinimi në vend.

“Jemi prapa vendeve tjera me vaksinim. Ministri nuk na ka dhënë asnjë datë. Kemi pasur pyetje sa i përket vaksinimit dhe ministri nuk ka dhënë informacione për deputetët se kur dhe si do të filloj vaksinimi. Me këtë neglizhencë dhe me këtë kotësi të kësaj qeverie ne frikësohemi se mund të mbesim vendi i fundit në rajon dhe në Evropë sa i përket vaksinimit”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Albena Reshitaj, ka deklaruar se ministri Zemaj i kishte informuar se furnizimi me vaksina do të bëhej në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Ajo ka thënë se nuk kanë informacione tjera në lidhje me vaksinimin, por që do ta shtrojnë këtë çështje ditën e nesërme.

“Në mbledhjen e fundit të Komisionit e kam pyetur ministrin për furnizim, por nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar vetëm ka thënë që në tremujorin e parë të vitit 2021 do të filloj vaksinimi. Kjo ka qenë informata që kemi marrë nga ai”, ka thënë ajo.

Ndërsa, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka thënë se furnizimi i vendit me vaksina do të bëhet me vonesë.

Ai ka thënë se kohë do të merr edhe mospërgatitja e stafit shëndetësorë për dhënien e kësaj vaksine.

“Nga ajo që kemi parë, vaksinimi në Kosovë do të fillojë vonë. Me këto kapacitete të stërngarkuara të stafit shëndetësorë mund të jetë vështirë një realizim efikas i vaksinimit”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, nga Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar ndonjë datë se kur do të mund të furnizohet vendi me vaksinë, kësisoj duke thënë se Ministria e Shëndetësisë ka aplikuar për këtë vaksinë dhe ata janë kompetentë për të dhënë informacione.

Ndërsa, përkundër insistimit të gazetës, nga kjo e fundit nuk kanë dhënë informacione.

Zëdhënës të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, kanë thënë gjatë kësaj jave për Express se do t’i ndihmojnë edhe shtetet tjera që nuk janë pjesë e BE-së për tu furnizuar me vaksinën kundër COVID-19.

Nga BE është thënë që të gjithë ata që kanë nevojë për një vaksinë COVID-19 do të kenë qasje në të.

Me miratimin e vaksinës kundër COVID-19 nga ana e Bashkimit Evropian, shumë shtete kanë filluar të vaksinojnë qytetarët me të.

Së fundmi, edhe Serbia, Gjermania, Italia e Greqia janë furnizuar me vaksina./Express/