Protestat në rritje në Shqipëri kundër punimeve për një projekt turistik në zonën Pishë Poro-Nartë që nisën javën e kaluar kanë marrë vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare
Në një artikull “New York Times” thotë se ka pyetur edhe Shtëpinë e Bardhë pasi një ndër investitorët në këtë resort është edhe dhëndëri i presidenti amerikan Donald Trump, Jared Kushner.
Planet për resorte luksoze në bregdetin e Detit Adriatik kanë shqetësuar prej kohësh ambientalistët. Këto zhvillime tani janë shndërruar në një pikë përplasjeje për pakënaqësitë më të gjera ndaj qeverisë, shkruan ky medium.
Protestat janë shtuar ditët e fundit kundër planeve të Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Trump, për të zhvilluar prona luksoze në një pjesë ekologjikisht të ndjeshme të bregdetit shqiptar.
Protestat, si në kryeqytet ashtu edhe në qytetet bregdetare, janë bërë një simbol i pakënaqësisë së gjerë në Shqipëri, e cila për një kohë të gjatë ka qenë një nga vendet më të varfra të Europës.
Prej vitesh, këto plane — një kompleks hotelesh luksoze me vlerë 1.4 miliardë dollarë në një ishull pranë bregdetit dhe një tjetër zhvillim në një gadishull që strehon ligatina ekologjikisht të ndjeshme — kanë ngjallë shqetësime lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe mungesën e transparencës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka përshkruar vazhdimisht këto projekte si një mundësi për të zgjeruar ekonominë turistike në rritje të vendit dhe për të tërhequr investitorë të huaj.
Të martën, Edi Rama tha në një postim në rrjetet sociale se projektet përfaqësonin “ambicien për të krijuar destinacionin më tërheqës në këtë anë të Mesdheut”.
Ai ka hedhur poshtë pretendimet e kundërshtarëve të planit se Jared Kushner, i cili është një nga disa investitorët në projekt, ka marrë trajtim preferencial për të fituar favorin e vjehrrit të tij, Donald Trump.
Shtëpia e Bardhë i referoi pyetjet te firma e investimeve e Kushner, Affinity Partners, e cila është mbështetur kryesisht me financime nga qeveria e Arabisë Saudite. Affinity Partners i referoi pyetjet te Sazan Real Estate Development LLC, kompania zhvilluese e të dy projekteve në Shqipëri.
“Jemi të entuziazmuar për mundësinë për të krijuar një destinacion të klasit botëror dhe për të realizuar një nga investimet private më të mëdha në historinë e rajonit”, tha në një deklaratë Asher Abehsera, kreu i kësaj kompanie.
Ai tha se fokusi i tyre përfshinte edhe “menaxhimi i përgjegjshëm” ndaj mjedisit.
Jo të gjithë në Shqipëri janë dakord.
Al Jazeera vë në pah edhe një deklaratë të mëhershme të vajzës së Trump dhe bashkëshortes së Jared Kushner, se si ia ka vënë syrin ishullit kur kishte qenë në pushime në Shqipëri.
“Qindra njerëz janë mbledhur në protesta në Shqipëri kundër planeve të një firme investimi të lidhur me Jared Kushner për të zhvilluar Ishullin e Sazanit dhe pjesë të një parku kombëtar të mbrojtur në një resort luksoz bregdetar. Zemërimi u shtua pas komenteve të bashkëshortes së Kushnerit, Ivanka Trump, e cila e përshkroi Sazanin si një “ishull privat” që ata “e zbuluan””, raporton ky medium.
Për protestat raportoi edhe Reuters, Euronews, Francë 24, The Times of Israel, Politico e media të tjera./Express/