Kanada i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës që të rinovojnë për 16 vjet marrëveshjen e tregtisë së lirë mes tre vendeve, pavarësisht se presidenti amerikan, Donald Trump, ka rikthyer diskutimet për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së.
Sipas një letre të dërguar të martën për përfaqësuesin amerikan të tregtisë, Jamieson Greer, dhe sekretarin meksikan të ekonomisë, Marcelo Ebrard, Kanada thekson se marrëveshja është “jashtëzakonisht e dobishme për secilin prej vendeve tona dhe për ekonominë e integruar të Amerikës së Veriut”.
Ministri kanadez për tregtinë me SHBA-në, Dominic LeBlanc, tha se edhe Kanada ka marrë letra nga Greer dhe Ebrard. Ky i fundit konfirmoi se edhe Meksika dëshiron zgjatjen e marrëveshjes për 16 vjet.
Letrat vijnë para rishikimit të planifikuar në korrik të Marrëveshjes Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada, ose USMCA versioni më i fundit i paktit tregtar të Amerikës së Veriut, i cili ka lidhur ekonomitë e SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës që nga fillimi i viteve 1990.
Nëse të tre palët bien dakord, marrëveshja mund të zgjatet për 16 vjet të tjera. Në të kundërtën, ajo mbetet në fuqi edhe për 10 vjet, por do t’i nënshtrohet rishikimeve vjetore. LeBlanc tha se gjatë takimit me Greer në Uashington, Kanada paraqiti disa propozime për të adresuar shqetësimet që SHBA-ja ka shprehur prej kohësh ndaj Kanadasë.
“Siç ka deklaruar publikisht ambasadori Greer, nëse deri më 1 korrik nuk ka konsensus mes tri palëve për zgjatjen 16-vjeçare, marrëveshja mbetet në fuqi edhe për 10 vjet dhe do të ketë një seri rishikimesh vjetore”, tha LeBlanc.
Ai ka deklaruar më herët se beson se Uashingtoni mund të preferojë që marrëveshja të mbetet subjekt i rishikimeve vjetore, ndërsa administrata Trump mund të kërkojë të krijojë pasiguri rreth qëndrueshmërisë afatgjatë të paktit tregtar, shkruan Euronews.