Sonte në Podujevë u zhvillua ceremonia e promovimit të librit dokumentar “KF Llapi – Vit pas Viti”, të autorit Esad Ejupi, i cili pasqyron historinë, rrugëtimin dhe trashëgiminë e KF Llapit gjatë dekadave.
Ceremonia u nderua me praninë e personaliteteve të shumta institucionale dhe sportive, përfshirë ish-presidentin Fatmir Sejdiu, kryesuesin e Kuvendit Komunal të Podujevës Isak Shabani, presidentin e KF Llapit Beqir Batatina, një delegacion nga Federata e Futbollit, sekretarin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Bislim Bislimi, si dhe komandantët Rrustem Mustafa dhe Latif Gashi.
Libri dokumenton periudhën nga themelimi i KF Llapit në vitin 1932 deri në ditët e sotme, duke përfshirë breza të lojtarëve, trajnerëve dhe sportistëve që kanë lënë gjurmë në historinë e klubit.
Promovimi u mbështet nga Komuna e Podujevës, përmes Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe sportive në qytet./GazetaExpress/