Pozicionim para dialogut me Serbinë, Osmani: Trepça është e paprekshme - Gazeta Express
string(68) "pozicionim-para-dialogut-me-serbine-osmani-trepca-eshte-e-paprekshme"

Pozicionim para dialogut me Serbinë, Osmani: Trepça është e paprekshme

Gazeta Express

20/02/2020 12:27

Një prej çështjeve më të rëndësishme që do të përballet koalicioni LDK-Vetëvendosje do të jetë edhe dialogu me Serbinë. Kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, gjatë vizite në minierën e Stan Tërgut në Mitrovicë me rastin 31 vjetorit të grevës, ka dhënë dy mesazhe politike. Sipas saj, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe Trepça e paprekshme.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në shënimin e aktivitetit të 31 vjetorit të shënimit të grevës së Stan Tërgut.

Lexo Edhe:

Këtë grevë Osmani e ka cilësuar si të dyfishtë, ndërkohë ka përsëritur që Trepça është e paprekshme.

“Në kontekstin historik, greva e minatorëve të Trepçës mund të trajtohet në dy rrafshe, si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia dhe, së dyti, si rezistencë  ndaj suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, greva shërbeu për sensibilizim qytetar dhe me angazhimin e tyre vetëmohues, minatorët i lëkundën themelet e Jugosllavisë së atëhershme.

“Marshi i organizuar nga minatorët nga Mitrovica në Prishtinë, ishte dëshmi e qartë se si minatorët arritën ta krijonin solidaritetin dhe aktivizmin qytetar në Kosovë”, ka theksuar Osmani, raporton Gazeta Express.

Kryetarja e Kuvendit ka thënë se minatorët e Trepçës e donin Republikën, prandaj e ngritën fuqishëm zërin ndaj okupuesit dhe kundër ndryshimeve kushtetuese te asaj kohe. 

“Ngjashëm edhe sot, minatorët dëshirojnë mbrojtjen e pavarësisë se Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin e vendit dhe dinjitetin qytetar. Falë kësaj sakrifice dhe vlerave të cilat na udhëhoqën e që përkrah nesh i rreshtuan shtetet demokratike të botës, kjo ëndërr është realizuar dhe pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Trepça është e paprekshme”, ka thënë Osmani.

Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se ky aset strategjik i Kosovës, përballet me sfidën e zhvillimit, ndaj ka premtuar angazhimin institucional për përmirësimin e kushteve të punës për minatorët./Express/