Portieri i Real Zaragoza, Esteban Andrada, rrezikon një dënim të ashpër pas një incidenti të rëndë në derbin ndaj SD Huesca në ligën e dytë spanjolle.
Ngjarja ndodhi në minutat shtesë të një ndeshjeje të tensionuar për mbijetesë, kur portieri argjentinas mori kartonin e dytë të verdhë për shtyrje ndaj një lojtari kundërshtar. Pasi u përjashtua, Andrada vrapoi drejt kapitenit të Huescës, Jorge Pulido, dhe e goditi atë me grusht në fytyrë.
Incidenti shkaktoi një përleshje masive në fushë, që çoi në përjashtimin edhe të portierit të Huescës, Dani Jiménez, si dhe të lojtarit të Zaragozës, Dani Tasende.
Pas ndeshjes, Andrada kërkoi falje publike, duke pranuar se “humbi kontrollin” dhe se do të pranojë çdo ndëshkim që mund t’i vendoset. “Jam shumë i penduar. Nuk është një imazh i mirë për klubin, tifozët dhe për një profesionist si unë,” tha ai, duke i kërkuar falje edhe Pulidos.
Edhe klubi i Zaragozës reagoi me një deklaratë zyrtare, duke dënuar ashpër incidentin dhe duke paralajmëruar masa disiplinore. “Pamë skena që nuk i përkasin këtij sporti dhe që nuk duhet të kishin ndodhur kurrë. Këto ngjarje nuk përfaqësojnë vlerat e klubit tonë,” thuhet në reagim.
Trajneri i Huescës, José Luis, e cilësoi incidentin si “humbje totale kontrolli”, duke theksuar se, pavarësisht tensionit të ndeshjes, veprime të tilla janë të pajustifikueshme.
Ndërkohë, trajneri i Zaragozës, David Navarro, kërkoi falje dhe shtoi se “ka kufij që nuk duhen kaluar”.
Ndeshja u fitua nga Huesca me rezultat 1-0, falë golit të Óscar Sielva. Të dyja skuadrat mbeten në zonën e rënies nga kategoria, me vetëm pesë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.