Një tjetër incident i rëndë e ka tronditur futbollin anglez.
Autoritetet britanike kanë konfirmuar se 16 tifozë të Leeds United rrezikojnë ndjekje penale pas sjelljeve diskriminuese gjatë gjysmëfinales së FA Cup kundër Chelsea, shkruan “Goal.com”, përcjell “Gazeta Express”.
Sipas Policisë Metropolitane, ndeshja e zhvilluar në stadiumin legjendar “Wembley” u shoqërua me incidente serioze jashtë fushës, ku një numër tifozësh u kapën duke bërë thirrje homofobike.
Autoritetet konfirmuan se në total pati 14 arrestime për vepra të ndryshme, përfshirë dhunë fizike, sulm ndaj personelit të emergjencës dhe prishje të rendit publik.
Ndërkohë, 18 persona të tjerë janë raportuar për ndjekje të mundshme penale – mes tyre 16 tifozë të Leeds, të identifikuar për sjellje diskriminuese.
Policia theksoi se pjesa më e madhe e ndeshjes kaloi pa probleme, por këto incidente kanë marrë vëmendje të madhe për shkak të natyrës së tyre të rëndë dhe mesazhit që e dërgojnë në sport.
Një nga çështjet kryesore lidhet me një këngë të njohur në Angli, e cila në vitin 2022 u klasifikua zyrtarisht si fyerje homofobike nga autoritetet ligjore.
Kjo do të thotë se përdorimi i saj mund të konsiderohet krim urrejtjeje dhe ndëshkohet penalisht.
Përveç kësaj, atmosfera në stadium ishte e tensionuar edhe për shkak të thirrjeve të tjera ofenduese që lidhen me figura të diskutueshme historike, duke shtuar më tej polemikat rreth sjelljes së tifozëve.
Edhe vetë klubi i Leeds ka reaguar më herët ndaj fenomeneve të tilla, duke edënuar fort çdo formë abuzimi verbal dhe duke kërkuar me masa më të ashpra ndaj atyre që përfshihen në këto akte.
Ndërkohë, në fushë, Chelsea e siguroi fitoren 1-0 dhe kalimin në finale të FA Cup, por ndeshja u zbeh nga këto incidente që e rikthejnë në fokus problemin e vazhdueshëm të diskriminimit në futbollin anglez.
Autoritetet dhe Federata Angleze pritet ta mbajnë një qëndrim “zero tolerancë”, duke paralajmëruar se raste të tilla do të ndëshkohen gjithnjë e më ashpër në të ardhmen. /Gazeta Express