Ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka vendosur ta lirojë degën e partisë në këtë komunë, pasi këtë tha se ia kërkoi kryetari Bedri Hamza.
Kështu, Hajdari tha se nuk dëshiron t’u bëhet “pengesë proceseve të nevojshme”.
“Të dashur qytetarë të Drenasit dhe mbështetës të PDK-së, Në Degën e PDK-së në Drenas kemi korrur sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit nacionale, duke dalë dega më e fuqishme e PDK-së. Me besimin se duke e çuar përpara PDK-në e çojmë përpara Kosovën, angazhimi ka qenë i përhershëm e i përditshëm. Megjithatë, duke mos dashur t’i bëhem pengesë proceseve të nevojshme, me kërkesë të kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, kam vendosur sot ta liroj degën e PDK-së në Drenas dhe ta fokusoj kontributin në kryesinë qëndrore”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Hajdari tha se po e lë degën e PDK-së me “mbi 18 mijë vota dhe me krenarinë e performancës në zgjedhjet më të vështira nacionale ndonjëherë”.
“Vazhdoj të jem i përkushtuar për të kontribuar për PDK-në e për vendin, pavarësisht nga cila pozitë. E falenderoj thellësisht ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin e bashkëpunimin dhe kryetarit Hamza i uroj suksese në zgjedhjet e radhës, ku ofroj kontributin e angazhimin tim. U jam mirënjohës Asamblistëve, shtabit të degës dhe kryesisë së degës për angazhimin vetëmohues në zgjedhje. Gjithashtu, i falenderoj kandidatët për deputetë nga komuna jonë që bashkërisht kanë bërë që PDK-ja të ketë rezultat të mirë. Jam jo vetëm mirënjohës por edhe krenar për punën që kemi bërë bashkë”, shkroi ai.
Hajdari thotë se pozitat “nuk kanë qenë kurrë thelbi i rrugës” së tij, por “e mira e vendit”.
“I falenderoj qytetarët e Drenasit dhe secilin që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi për besimin dhe mbështetjen. Shpresoj që pozitën që po e liroj unë, ta marrë një figurë e pakorruptuar, përbashkuese e jopërçarëse. Drenasit i nevojitet unifikim. Ka qenë nder për mua t’i shërbej vizionit për një Kosovë më të mirë, trashëgimisë së Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Do ta vazhdoj kontributin me besimin që e mira e PDK-së është e mira e vendit”, shkroi ai.