Këshilltari i ish-presidentes Vjosa Osmani, Burim Meta, thotë se përveç ish-deputetes Jeta Statovci, e cila së fundmi iu bashkua Osmanit, edhe anëtarë të tjerë të partisë Guxo pritet të rreshtohen krah saj për zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas Metës, shumica e anëtarëve të Guxo-s e mbështesin Osmanin, me përjashtim të atyre që kanë kaluar nga LVV-ja në këtë parti. Ai konfirmoi gjithashtu për RTV21 se pjesë e këtij grupimi do të jetë edhe ish-deputetja Albena Reshitaj.
“Guxo do të jetë e vetmja parti në historinë e politikës kosovare që do të ketë më shumë kryetarë sesa anëtarë partie. Të gjithë nënkryetarët e partisë tashmë janë në përkrahje të Osmanit dhe LDK-së. Do të ketë edhe prurje të tjera, ndërsa ekskluzivitetin për t’i bërë publike do ta ketë vetë presidentja Osmani. Natyrisht, të gjithë deputetët që kanë treguar vlera do të jenë pjesë e jona, por jo edhe deputetët që janë të LVV-së dhe që kaluan kinse në Guxo. Po, Albena do të jetë pjesë e jona”, tha Meta.
Meta po ashtu deklaroi se Vjosa Osmani do të jetë bartëse e listës së LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.
Ndërkohë, ai iu kundërpërgjigj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ish-presidentja Osmani po e konfirmon çdo ditë e më shumë mbështetjen qytetare.