Përpjekjet për të shmangur qarkullimin e cash - Gazeta Express
string(45) "perpjekjet-per-te-shmangur-qarkullimin-e-cash"

Shqiperi

Gazeta Express

28/11/2020 8:19

Përpjekjet për të shmangur qarkullimin e cash

Shqiperi

Gazeta Express

28/11/2020 8:19

Institucionet financiare në vend, të asistuara nga donatorët, prej vitesh janë përpjekur për të reduktuar qarkullimin e parasë cash, por nismat nuk po tregojnë rezultate.

Në vendet e zhvilluara, por edhe në rajonin tonë, teknologjia po krijon një revolucion në fushën e pagesave, duke nxitur gjithnjë e më shumë transaksionet me karta krediti, pagesa nga telefoni etj. Bankat po priren të reduktojnë shërbimet e pagesave në sportele dhe qeveritë po nxisin politika që reduktojnë pagesat cash, teksa monedhat virtuale janë tashmë në qarkullim.

Lexo Edhe:

Shqipëria ndodhet ende në një fazë të hershme, për shkak të cektësisë financiare, por para disa muajsh u miratua një projektligj në Kuvend që synon të përmirësojë shërbimet e pagesave në vendin tonë. Shqipëria ka një nivel të lartë të përdorimit të parasë cash në ekonomi dhe kjo reflektohet edhe në përqindjen e ulët të popullsisë mbi 15 vjeç që ka llogari bankare (vetëm 40% niveli më i ulët në Europë).

Përdorimi i cash-it, përveçse është një tregues i një kulture të ulët financiare, përllogaritet me kosto të lartë për ekonominë. Instrumentet cash të pagesave në Shqipëri kanë kosto ende të larta, jo vetëm për agjentët e tregut, por edhe për ekonominë në tërësi. Studimet e publikuara nga Banka e Shqipërisë vlerësojnë se rritja ekonomike për vitet 2014-2018 do të ishte rreth 3.8%, pra 0.7 pikë përqindje më e lartë se norma faktike.

Masat e para të marra për uljen e parasë cash lidhen kryesisht me përmirësime ligjore, të cilat, në vitet në vijim, do të pasohen nga zhvillime infrastrukturore dhe nga kultivimi i kulturës financiare të popullsisë. Këto përmirësime kanë për qëllim të akomodojnë risitë teknologjike në fushën e pagesave, të rrisin efikasitetin nëpërmjet nxitjes së konkurrencës, si dhe të sigurojnë transparencë dhe mbrojtje për konsumatorin.

Banka e Shqipërisë pret që ligji i ri për Shërbimet e Pagesave të nxisë konkurrencën në treg dhe të promovojë shërbime inovative, mbështetur gjithashtu edhe me një regjim të kujdesshëm nga pikëpamja e mbrojtjes së konsumatorit. Ligji i ri synon edhe zgjerimin e ofrimit të shërbimeve nga bankat në të gjithë territorin shqiptar (përfshirë zonat rurale).

Mirëpo ekspertët e Bankës Qendrore mendojnë se, ky objektiv nuk mund të arrihet pa marrë më parë një fushatë drejt edukimit financiar. Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave janë angazhuar për një fushatë edukimi në të gjithë vendin, me qëllim që para se të merren masa ligjore, njerëzit të njihen me përfitimet që kanë nga pagesat jo cash.

Por megjithëse ligji është bërë i zbatueshëm, kriza pandemike po favorizon informalitetin e për rrjedhojë, edhe qarkullimin e parasë cash, e cila i është kthyer rritjes me ritme të shpejta./Monitor