Përballja - Gazeta Express
string(9) "perballja"

OP/ED

Gazeta Express

29/03/2024 10:49

Përballja

OP/ED

Gazeta Express

29/03/2024 10:49

Shkruan: Visar K. Berisha

S’ka dilemë se sot shteti i Kosovës, dhe për pasojë edhe shoqnia kosovare, po përballën me dy prej vektorëve ma negativistë të politikëbërjes. I pari është ndërtimi i raportit kontradiktor, izolacionist me miqtë strategjikë të popullit të Kosovës, krejt kjo në emër të sovranizmit dhe interesave të larta shtetnore. I dyti është serbizimi i politikës, si metodë për të sunduar.

Lexo Edhe:

Serbizimi i politikës nënkupton së pari kategorizimin; jo çdo kush është i denjët të përfaqësoj idetë progresiste në këtë vend, pasi nuk e kalon kriterin moral të paravendosun; kush nuk rrin në krahun tonë është kundër nesh, e për pasojë kundër vendit; shoqnia ka brenda vetës një bashkësi njerëzish që janë konstantë e regresit, mosprosperimit dhe tradhtimit të idealeve kombëtare, të cilët duhet luftuar. Ky kategorizim ka një emër edhe ai është fashizmi!

Së dyti, me adoptu profilin serb të politikëbërjes do të thotë me i shpallë për fitore politike e ekonomike arrogancën, mosdijen dhe varfnimin; nëse një institucion i pavarur nuk i gjunjëzohet presionit atëherë rrite presionin deri në thyerje dhe shpalle fitoren e madhe të popullit mbi rrjetin okult të oligarkisë; përdore një kastë diletantësh në politikë për të udhëhequr institucione strategjike, ku për pasojë mosdija dhe joproduktiviteti bëhen violina e parë e veprimit; përktheje pafuqinë me shëru kapitalizmin, me garantu konkurrencën dhe me nxitë likuiditetin e parasë, në shpërndarjen e lëmoshës, si vulë për barazimin e të gjithëve në varfërim.

Serbët dhe Serbia e kane kultivuar këtë model politikëbërje qysh me eliminimin e obrenoviqëve nga skena politike dhe stabilizimin e mendësisë rusoide të qarkut politik lindor. Përbujtja e kësaj mendësie në truallin e politikës kosovare është një prej rreziqeve më të mëdha që na kanoset, si shoqni. Dhe kjo ka filluar të ndodhë!

Në anën tjetër, fryrja e ballonit të sovranizmit sa s’mban më s`ka asnjë produkt tjetër dobiprurës veç një nacionalizëm proverbial, i pa ton dhe luftësjellës. Kjo pastaj e bjen krisjen e besimit me miqtë tanë strategjikë dhe dilemën se cila është rruga e të ardhmes për Kosovën. Pas kësaj vjen izolimi dhe në fund dorëzimi dhe shpallja e tij si fitore strategjike: prej humbjes në humbje drejt fitores përfundimtare!

Këta dy vektorë të shaluar fortë prej Qeverisë së tanishme ose duhen përballur dhe topitur, thënë më së buti, ose si shoqni do përfundojmë në theqafje! Përballja politike, përballja e modeleve, demaskimi i rrenës tash, menjëherë dhe sistematikisht janë të pa negociueshme. Nëse kjo neglizhohet, pleksja e këtij mentaliteti bizantin do të jetë çashtje kohe derisa nuk të ndikoj në mbylljen e çarkut, i cili do të vetgjeneroj kriza politike, rrezikim të sovraniteti, përçudnim të imazhit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe varfnim të më tejmë.

Përballja nënkupton edhe modelin kulturor të formimit, aty prej ku burojnë botkuptimet për shoqninë, kombin dhe Republikën. Shekullarizimin e institucioneve shtetnore dhe atyne publike. Kosova nuk mund t`ia lejoj vetës turqizimi  e raportit të religjionit me institucionet publike. Republika nuk i nënshtrohet asnjë konsensusi që i prekë liritë themelore apo që imponon hegjemonizëm; diversiteti, individualitet dhe barabarësia janë leva e prosperimit të Republikës, si marrëveshje për të jetuar së bashku.

Në këtë kuadër, ndërrimi i modelit të politikëbërjes është alfa e kthjelljes shoqnore, i përndritjes. S’ka mirëqenje pa shërim të politikës. S’ka shërim të politikës pa gjithëpërfshirje. Pa pjesëmarrje.