Operacioni Forca e Ligjit ka kërkuar deklarimin e burimit të pasurive për dy shtetas të tjerë këtë të martë.
Fjala është për shtetasit Kreshnik Budlla nga Durrësit si dhe për Fatjon Lazen nga Elbasani.
Kreshnik Budlla rezulton të jetë i dënuar në Spanjë për veprën e trafikut të drogës. Ai ka përdorur rreth 10 identitete të ndryshme dhe është akuzuar nga drejtësia edhe për një sërë vjedhjesh në shtetin italian. Ndërsa Fatjon Laze është vëllai i Arben Lazes, pronar i klubit të Elbasanit. Emri i këtij të fundit u përfol në media disa muaj më parë, fill pas kapjes së një sasie të konsiderueshme kokaine në Brazil. Pakot e kokainës mbanin pikërisht stemën e klubit të Elbasanit dhe në atë kohë pati dhe një reagim nga ana e Arben Lazes, i cili mohoi përfshirjen.
Ndërkohë vëllai i tij Fatjon Laze, për të cilin OFL ka kërkuar deklarimin e pasurisë, rezulton të jetë i dënuar për trafik të lëndëve narkotike.
NJOFTIMI I OFL:
OFL, 25 shkurt Vijon Operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, personave që janë subjekt i këtij ligji. Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:
– K. B., banues në Durrës, i dënuar në Spanjë për trafikim të lëndëve narkotike.
– F. L., banues në Elbasan, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Brenda 48 orësh, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së.