Paguhet rreth 30 milionë dollarë në vit, por s'mund të luajë në gjysmën e ndeshjeve - Gazeta Express
string(81) "paguhet-rreth-30-milione-dollare-ne-vit-por-smund-te-luaje-ne-gjysmen-e-ndeshjeve"

Basketboll

Gazeta Express

26/09/2021 13:42

Paguhet rreth 30 milionë dollarë në vit, por s’mund të luajë në gjysmën e ndeshjeve

Basketboll

Gazeta Express

26/09/2021 13:42

Paguhet plot 29.5 milionë dollarë, por basketbollisti kanadez Andrew Wiggins nuk do të mund të luajë ndeshjet në shtëpi me skuadrën e tij Golden State Warriors.

Shkak për këtë është bërë vendimi i basketbollistit kanadez që të mos bëjë vaksinën anti-Covid 19, e cila në shtetin e San Franciscos është e detyruar për të gjithë personat mbi 12 vjeç, për të marrë pjesë në eventet madhore.

Lexo Edhe:

Basketbollisti kanadez formuloi një kërkesë ndaj autoriteteve, ku kërkoi një përjashtim, pasi e justifikoi refuzimin e vaksinës me çështje fetare, megjithatë kjo u hodh poshtë dhe tani Wiggins do ta ketë të pamundur të luajë në ndeshjet në San Francisco.

Klubi i Golden State Warriors nuk është shprehur ende zyrtarisht për këtë çështje, megjithatë duket e pamundur që të ndërhyhet në vendimin personal të sportistit 26-vjeçar kanadez.

I pyetur në lidhje me këtë çështje disa muaj më parë, vetë Wiggins deklaroi se nuk ka ndërmend të bëjë vaksinën, nëse nuk do të detyrohet nga ndonjë arsye madhore, ndërsa tani pritet të shihet se çfarë vendimi do të marrë kanadezi, pasi i është ndaluar të luajë ndeshjet në shtëpi.

“Unë nuk jam kundër vaksinës, por për momentin nuk kam ndërmend ta bëj. Gjithsecili vendos për vete dhe nuk kritikoj aspak ata që e bëjnë, por unë nuk kam ndërmend të bëj diçka të tillë në trupin tim, të paktën për sa kohë që nuk më detyrojnë rrethana të caktuara”, pati deklaruar Wiggins disa muaj më parë.

Andrew Wiggins është një nga basketbollistët më të rëndësishëm të Golden State Warriors, pasi e mbylli sezonin e kaluar me një mesatare prej 18.6 pikësh dhe 4.9 rikuperimesh për ndeshje, shifra këto vërtetë impresionuese.