Pavarësisht qindra provave të kushtueshme për zhvillimin e ilaçeve, një kurë për demencën ende nuk është gjetur. Por së fundmi, disa shkencëtarë po shtrojnë një pyetje thelbësore: a po kërkohet zgjidhja në vendin e gabuar?
Sipas të dhënave të reja, çelësi për luftimin e kësaj sëmundjeje mund të mos jetë një ilaç, por një ndërhyrje kirurgjikale relativisht e thjeshtë.
Procedura bazohet në një teknikë që mjekët e krahasojnë me “pastrimin e një tubacioni të bllokuar”, duke larguar proteinat toksike nga truri – të cilat lidhen me zhvillimin e demencës. Ajo quhet anastomoza limfatiko-venozo (LVA) dhe përdoret tashmë për pacientët me limfedemë, veçanërisht tek gratë me kancer gjiri.
Limfedema shfaqet kur hiqen nyjet limfatike gjatë trajtimit të kancerit, duke shkaktuar grumbullim lëngjesh dhe ënjtje në gjymtyrë. Me teknikën LVA, kirurgët lidhin enët limfatike me venat për të mundësuar kullimin e lëngut të tepërt në qarkullimin e gjakut.
Tani, studiuesit po eksperimentojnë me një qasje të ngjashme për trajtimin e demencës – duke lidhur enët limfatike në qafë me venat për të ndihmuar në largimin e mbetjeve nga truri.
Truri ka sistemin e vet limfatik për të eliminuar mbetjet. Me kalimin e moshës, ky sistem bëhet më pak efikas, duke lejuar grumbullimin e proteinave të dëmshme. Këto proteina formojnë depozitime të quajtura pllaka amiloide, të cilat dëmtojnë funksionet njohëse dhe çojnë në simptoma si humbja e kujtesës, konfuzioni dhe ndryshimet në personalitet.
Deri më tani, rreth 2,000 pacientë me demencë i janë nënshtruar kësaj procedure, dhe në disa raste është raportuar përmirësim i ndjeshëm – përfshirë rikthimin e kujtesës dhe njohjen e familjarëve.
Operacioni kryhet duke bërë një prerje të vogël në qafë, ku një enë limfatike lidhet me një venë të thellë cervikale. Kjo lejon që proteinat e dëmshme të drenohen nga truri. Ndërhyrja zgjat disa orë dhe kryhet nën anestezi të përgjithshme.
Megjithatë, kjo qasje mbetet shumë e diskutueshme.
Shumica e operacioneve janë kryer në Kinë, ku kritikët thonë se procedura është përdorur pa prova të mjaftueshme për sigurinë dhe efektivitetin e saj. Në vitin 2025, autoritetet kineze madje ndaluan përdorimin e saj jashtë studimeve kërkimore.
Provat shkencore janë ende të kufizuara. Disa studime të vogla kanë treguar përmirësime në testet e funksionit njohës pas operacionit, por të dhënat nuk janë të plota dhe kërkohen studime më të mëdha dhe më të kontrolluara.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse procedura funksionon, ajo nuk është një kurë e plotë. Sipas tyre, ndërhyrja mund të ngadalësojë përparimin e sëmundjes duke ndihmuar në pastrimin e proteinave, por nuk ndalon prodhimin e tyre.
Disa specialistë janë edhe më skeptikë, duke theksuar se përmirësimet e raportuara mund të jenë rezultat i efektit placebo, dhe jo i vetë operacionit.
Megjithatë, kërkimet po vazhdojnë. Ekipet ndërkombëtare, përfshirë ato në Singapor dhe SHBA, kanë nisur prova të reja klinike për të vlerësuar më saktë efektivitetin e kësaj metode.
Nëse vërtetohet se funksionon, kjo teknikë mund të hapë një kapitull të ri në trajtimin e demencës – jo përmes ilaçeve, por duke “pastruar” vetë sistemin e trurit. /GazetaExpress/