Gratë e diagnostikuara me osteoporozë mund të kenë një gjasë më të lartë për të mbartur një gjen të lidhur me sëmundjen e Alzheimerit, sipas një studimi të ri shkencor.
Studiuesit kanë zbuluar se APOE4 – faktori gjenetik më i zakonshëm i rrezikut për Alzheimer – mund të dobësojë cilësinë e kockave tek gratë, edhe kur analizat standarde tregojnë rezultate normale.
Studimi, i realizuar nga kërkues në Institutin Buck për Kërkime mbi Plakjen në Kaliforni dhe Universitetin e Kalifornisë në San Francisko, sugjeron se ky gjen mund të dëmtojë strukturën e kockave në nivel mikroskopik, shumë kohë përpara se të shfaqen shenja të dukshme.
Këto ndryshime mund të fillojnë që në moshën e mesme dhe të mos zbulohen nga testet rutinë që përdoren për të vlerësuar fortësinë e kockave.
Rezultatet, të publikuara në revistën Advanced Science, tregojnë një lidhje të mundshme mes rrezikut për Alzheimer dhe shëndetit skeletor, duke hapur rrugën për zbulim më të hershëm të të dyja gjendjeve.
Mjekët kanë vënë re prej kohësh se personat me Alzheimer kanë një rrezik më të lartë për fraktura kockash, ndërsa osteoporoza tek gratë konsiderohet si një ndër treguesit e hershëm të sëmundjes. Tani, shkencëtarët besojnë se mund të kenë zbuluar arsyen pse ndodh kjo.
Në studim, ekipi i drejtuar nga Dr. Charles Schurman analizoi proteinat në kockat e minjve të moshuar dhe zbuloi se indet ishin të pasura me molekula të lidhura me sëmundje neurologjike, përfshirë Alzheimerin.
Veçanërisht, qelizat jetëgjata të kockave, të quajtura osteocite, shfaqnin nivele të larta të proteinës APOE – dyfish më të larta tek minjtë femra të moshuar krahasuar me ata më të rinj ose meshkuj.
Eksperimentet e mëtejshme me minj të modifikuar gjenetikisht treguan se APOE4 ka një ndikim të fortë dhe specifik sipas gjinisë, si në kocka ashtu edhe në tru. Ndërhyrja në nivel proteinash rezultoi madje më e theksuar në kocka sesa në tru.
Megjithatë, struktura e kockave dukej plotësisht normale në skanime. Problemi qëndronte në nivel qelizor: gjeni pengonte një proces kyç mirëmbajtjeje brenda qelizave të kockave, duke i penguar ato të riparonin mikrokanalet që mbajnë kockat të forta dhe elastike. Kur ky proces dështon, kockat bëhen më të brishta – edhe pse në pamje të jashtme duken të shëndetshme.
“E veçanta e këtij zbulimi është se cilësia e kockave dëmtohet në një nivel molekular që analizat standarde nuk mund ta kapin,” theksoi profesorja Birgit Schilling. “APOE4 po dëmton në heshtje vetë qelizat që mbajnë kockat të forta – dhe kjo ndodh veçanërisht tek gratë, njësoj si rreziku për Alzheimer.”
Këto rezultate sugjerojnë se qelizat e kockave mund të shërbejnë si sinjale të hershme biologjike për rënien e funksioneve njohëse tek gratë që mbartin këtë gjen. Sipas profesoreshës Lisa Ellerby, ndërhyrja në këto qeliza mund të hapë rrugë të reja për ruajtjen e shëndetit të kockave në këtë grup.
Ekspertët theksojnë se këto gjetje nënvizojnë nevojën për ta parë trupin si një sistem të ndërlidhur, dhe jo për të trajtuar sëmundjet në mënyrë të izoluar.
Demenca – ku Alzheimeri është forma më e përhapur – mbetet një nga sfidat më të mëdha shëndetësore. Aktualisht, rreth 900,000 persona jetojnë me këtë gjendje, dhe pritet që ky numër të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme. Duke qenë se ende nuk ekziston një kurë, zbulimi i hershëm dhe parandalimi mbeten thelbësore. /GazetaExpress/