Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas në Pejë - Gazeta Express
string(65) "nje-muaj-paraburgim-ndaj-te-dyshuarit-per-vrasjen-e-gruas-ne-peje"

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas në Pejë

Lajme

Gazeta Express

17/04/2024 7:07

Gjykata e Pejës ka caktuar një muaj paraburgim për Edmod Lajqin, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Gjyljeta Ukella.

Vrasja ka ndodhur sot në mëngjes në Pejë.

Lexo Edhe:

Paraburgimi është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë që të dyshuarit t’i caktohet masa 30 ditë paraburgim.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja që është duke e trajtuar rastin, Valbona Dishaj-Haxhosaj.

Edmond Lajqi, i dyshuar për vrasjen e gruas së tij Gjyljeta Ukella sot më 16.04.2024 në Pejë, në vitin 2021 kishte aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Pejë për veprën penale – dhunë në familje.

Portali e ka siguruar aktakuzën ndaj tij që ishte ngritur më 05.10.2021 e që kishte përfunduar me dënim nga Gjykata e Pejës me 100 euro gjobë e me burgim prej 3 muaj.

Lajqi nuk kishte mbajtur burg për shkak se me kërkesë të tij i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 300 euro, që në total kishte paguar 400 euro.

Në aktakuzë thuhej se Lajqi më 22.09.2021 rreth orës 17:40 në shtëpinë e tij në Pejë kishte ushtruar dhunë psiqike ndaj gruas së tij.

Sipas aktakuzës, Lajqi kishte 3-4 vite që ofendonte vazhdimisht me fjalë gruan e tij.

“Në atë mënyrë që ditën kritike pas një zënke verbale që kishin në mes veti, për shkak se i pandehuri ka 3-4 vite vazhdimisht e ofendon me fjalë të dëmtuarën, duke i thënë se “ti je k**vë, vëllai yt po do me të nda dhe me të martu me miqasinë e tij, gjysma e Pejës janë frajerat e tu, e shumë fjalë të tjera, ku e njëjta e lajmëron rastin në polici” – thuhej në aktakuzën e Prokurorisë së Pejës.

Nga Gjykata e Pejës kanë konfirmuar se ndaj Lajqit ishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 100 euro, si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 muajsh, i cili dënim me kërkesën e të pandehurit ishte zëvendësuar më pas me dënim me gjobë në shumën prej 300 euro.