Një lexim sociologjik i librit “Të lirë” nga Lea Ypi - Gazeta Express
string(50) "nje-lexim-sociologjik-i-librit-te-lire-nga-lea-ypi"

Një lexim sociologjik i librit “Të lirë” nga Lea Ypi

Arte

Gazeta Express

21/01/2022 10:41

E listuar në revistat – gazetat më prestigjioze, duke treguar një rrëfim personal e që në esencë është reflektim mbi historinë e kaluar, ajo para së gjithash synon lexuesin e gjërë

Shkruan Fisnik Dragusha

Lexo Edhe:

Libri i Lea Ypit na tërheq magjishëm drejt leximit, duke e shndërruar në një udhëtim mbresëlënës në kohë. Aty gërshetohet stili letrar me sociologjinë dhe filozofinë politike. Librat e tillë non-fiction tashmë janë në garë për të fituar shpërblime/ çmime letrare, pra jo domosdoshmërisht një libër duhet të jetë letërsi e kulluar. Lirisht mund të konstatojmë që një zhanër i tillë ka qenë deficitar dhe rrjedhimisht më se i nevojshëm në tregun dhe gjuhën tonë. Në pamje të parë duket se është shkruar me nxitim, mirëpo është aq përmbajtësor sa që të bën për vete, të përfshinë para, madje në një mënyrë si lexues e përbrendëson dhe përjeton historinë e saj. 

Këshilla ime e me rëndësi konsideroj se, leximit duhet t’i qasemi si internacionalist, në mënyrë që të kuptojmë se brendia e tij thuajse është komplet e zhveshur nga doza nacionaliste. 

Nëse i bëjmë një lexim sociologjik, atëherë do t’iu rekomandoja të gjithe studiuesve të shkencave humane, veçmas studiuesve të sociologjisë që në studimet e tyre, domosdo të kenë lexuar librin “ Të lirë”, në mënyrë që të kenë një tablo të qartë rreth shoqërisë totalitare. Aty do të gjejnë raportet e shtetit me religjionin, do të gjejnë zëvendësimin e Zotit me Partinë. Luftën e klasave, tranzicionin, kalimin nga ekonomia e planifikuar në ekonomi të tregut, mungesën e mirëfilltë të demokracisë, shpresën, zvenitjen e saj, emigrimin etj., që e bëjnë librin sa studioz po aq edhe atraktiv. 

Po ndalem fillimisht te raporti i Partisë me religjionin dhe tendencën për zëvendësimin e tij, ndonëse jo në mënyrë eksplicite të ndërrimit të roleve. Shqipëria e kishte të ndaluar religjionin me kushtetutë. Filozofi francez Henri Bergson në librin e tij “Burimet e Moralit dhe të Fesë” thotë se në të kaluarën ka pasur shoqëri pa kulturë, mirëpo nuk ka pasur shoqëri pa fe. Feja konsiderohej si një zakon i vjetër që tashmë i kishte kaluar koha. Partia ishte avantgarda e shoqërisë, që na shpie drejt progresit dhe do të shërbehej me arsye. Në këtë aspekt, Shqipëria qëndron edhe më keq se modeli i saj, Bashkimi Sovjetik. Stalin madje e kishte qortuar Hoxhën për këtë. 

Lea e zberthen në detaje periudhën e tranzicionit, problemet që e shoqërojnë, inaugurimin e koncepteve te reja, për një shoqëri aq të mbylluar, aq konservatore dhe telashet që sjellë. Me TRANZICION nënkupton njerëz në lëvizje, ku me vete e bartin edhe shpresen. Gjysëmshekulli komunist kishte fashitur mendimin ndryshe, duke u paraqitur si NJË me popullin. Andaj bunkerizimi i mendjes do të duhej të hapej. Kësisoj lindi edhe Shoqëria Civile, ku mjaft intrigues është shembulli i mësueses së lëndës së marksizmit, e cila pothuasje kishte pësuar metamorfozë, pra nga një mësimdhenese e mësimeve të Marksit tashmë drejton një OJQ që merrej me edukimin seksual dhe vetëdijësimin për rrezikun e HIV/AIDS. 

Kalimi nga ekonomia e planifikuar në ekonomi të tregut, braktisja e shenjtorëve Marks & Engels dhe zëvendesimi i tyre me Friedman & Hayek. Periudha e tranzicionit do t’i njofton me idetë e reja, me plurazimin, me bindje të ndryshme ideologjike, natyrisht fluide, mirëpo nuk do t’i zgjidhë problemet e mungesës së demokracisë stabile, nuk zgjidhë hallet sociale, kolektivizmi tashmë i kishte liruar rrugë individuales, do të prodhonte emigrim thuajse biblik. Kujto këshillën që prindi i Leas i jep asaj duke i thënë se mos pyet se cfare bën shteti për ty, mirëpo mundohu të asgjësosh varësinë prej tij. Liria tashmë ishte bërë barrë siç do të thoshte Sartri apo ankth do ta cilësonte Kierkegaardi. 

Kthimi i vështrimit nga Shqipëria në Kosovë, libri “Te Lirë” do të na shërbej si busull për orientim në definimin e ndodhive të periudhës së pas luftës. 

Dhe për fund, nuk do të ishte e tepërt të them se Lea Ypi nuk mëton të jetë Thomas Hobbs, e as Ogyst Kont, mirëpo gjejmë brum të mjaftueshëm për studim.

Fisnik Dragusha