Rikthimi i Manuel Neuerit në portën e kombëtares gjermane për Kupën e Botës vazhdon të shkaktojë debate të mëdha dhe ka rikthyer në skenë kritikët e zakonshëm të tij.
Kur trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, të publikojë të enjten listën zyrtare për Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, emri i Manuel Neuerit pritet të jetë pjesë e saj. Ky vendim pritet të kritikohet ashpër nga ish-reprezentuesi gjerman Dietmar Hamann. Ish-mesfushori, tashmë analist televiziv, tha për Absolut Fußball se rikthimi i portierit 40-vjeçar të Bayern Munichut, pas dy vitesh mungesë, përbën një “rrezik të madh”.
Sipas tij, përzgjedhja e Neuerit mund ta përçajë skuadrën.
“Jam mjaft i sigurt se mes lojtarëve që nuk vijnë nga Bayerni ka shumë mbështetës të Baumannit. Por ne nuk mund të përballojmë më trazira të tjera”, deklaroi 52-vjeçari.
Nagelsmann ndryshon kurs për portën
Nagelsmann kishte mbështetur disa herë portierin e TSG Hoffenheim, Oliver Baumann, duke e paraqitur si numrin një të Gjermanisë për Kupën e Botës. Megjithatë, pas paraqitjes së shkëlqyer të Neuerit në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, spekulimet për rikthimin e tij në kombëtare janë shtuar ndjeshëm.

Neuer ishte tërhequr nga kombëtarja pas Kampionatit Evropian të zhvilluar në Gjermani, por tani duket shumë pranë rikthimit në strukturën e DFB-së.
Megjithatë, Sport Bild raporton se rreziku për një përçarje të brendshme është i ulët. Sipas revistës gjermane, disa yje të Bayern Munichut dhe lojtarë kyç nga klube të tjera tashmë i kanë kërkuar Nagelsmannit ta rikthejë 40-vjeçarin në skuadër.
Hamann kujton gabimet e Neuerit
Raportimet e Sky gjatë fundjavës zbuluan se Nagelsmann dhe Neuer kanë arritur një marrëveshje për rikthimin e portierit në turne, pavarësisht se trajneri më parë kishte dhënë garanci për Baumannin. Hamann nuk e kupton këtë vendim, sidomos duke pasur parasysh formën e Neuerit në kombëtare në vitet e fundit dhe gabimet e tij në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit.
“Ai luajti rol të rëndësishëm në eliminimet tona të hershme në Rusi dhe Katar”, tha Hamann. “Po, Neuer ka bërë pritje të mira këtë sezon. Por ai bëri edhe një gabim në ndeshjen e dytë çerekfinale të Champions League kundër Realit. Nuk duhet ta harrojmë këtë.”

Ai shtoi se është “larg pretendimit se Neuer do të ketë patjetër një turne mbi mesataren”.
Kruse ngre dyshime për planin e Nagelsmannit
Kritikave iu bashkua edhe ish-reprezentuesi Max Kruse, i cili e cilësoi si të papranueshëm vendimin e Nagelsmannit për ta rikthyer Neuerin si portier të parë dhe për ta ulur Baumannin në stol në prag të Kupës së Botës.
“Për mua, është absolutisht e papranueshme të hapet përsëri kjo çështje në javën e fundit të kampionatit”, tha Kruse gjatë një transmetimi në Twitch.
Sipas tij, Nagelsmann nuk e kishte parë kurrë seriozisht Baumannin si portierin e parë të Gjermanisë për Botëror. Kruse beson se trajneri po priste rikuperimin e Marc-Andre ter Stegenit.
Pas tërheqjes së Neuerit nga kombëtarja, Nagelsmann praktikisht i kishte hapur rrugën portierit të Barcelonës për të qenë titullar në Botëror. Por fati i 34-vjeçarit mori kthesë negative. Fillimisht ai pësoi këputje të tendinit të patelës, më pas humbi vendin në formacionin bazë të Barcelonës dhe iu nënshtrua një operacioni në shpinë.
Në kërkim të minutave, ter Stegen u huazua te Girona në janar. Pas vetëm dy paraqitjeve premtuese, ai pësoi një tjetër goditje të rëndë: një dëmtim serioz në kofshë, që e detyroi t’i nënshtrohej sërish operacionit. Ai nuk ka luajtur që nga fundi i janarit dhe tashmë do ta humbasë Kupën e Botës.

“Mendoj se Nagelsmann thjesht po priste të shihte nëse ter Stegen do të rikuperohej. Kur kjo nuk ndodhi, ai iu kthye Neuerit”, përfundoi Kruse.
Urbig dhe Nübel plotësojnë listën e portierëve
Edhe pse Baumann është lënë jashtë skuadrës pak para fazës finale të Botërorit, raportohet se ai i ka thënë Nagelsmannit se është thellësisht i zhgënjyer, por gjithsesi i gatshëm të shërbejë si zëvendësues i Neuerit.
Ndërkohë, gjendja fizike e Neuerit mbetet një shqetësim. Kapiteni i Gjermanisë është në dyshim për finalen e Kupës kundër VfB Stuttgartit, pasi pësoi një tjetër dëmtim në pulpë gjatë ndeshjes së Bundesligës ndaj 1. FC Köln. Gjatë këtij sezoni, ai ka humbur disa ndeshje për shkak të tri dëmtimeve të lehta në të njëjtën zonë.
Neuer u zëvendësua nga Jonas Urbig, i cili, sipas raportimeve të shumta mediatike, gjithashtu pritet të udhëtojë në Kupën e Botës, por vetëm në rolin e partnerit stërvitor. Vendi i tretë në grupin e portierëve pritet t’i takojë Alexander Nübelit të VfB Stuttgartit. /GazetaExpress/