Në ShBA, edhe majmunët vaksinohen për Covid-19 - Gazeta Express
string(45) "ne-shba-edhe-majmunet-vaksinohen-per-covid-19"

Në ShBA, edhe majmunët vaksinohen për Covid-19

Lajme

Gazeta Express

05/03/2021 11:03

Disa majmunë në kopshtin zoologjik të qytetit San Diego në Shtetet e Bashkuara janë vaksinuar me një vaksinë eksperimentale kundër Covid-19, e cila është zhvilluar për kafshët pas përhapjes së virusit te disa gorilla në atë vend.

Pjesë e vaksinimit ishin dy lloje të majmunëve: katër orangutanë dhe pesë bonobos. Vaksina është zhvilluar nga kompania farmaceutike për kafshë, Zoetis.

Lexo Edhe:

Tetë gorilla të këtij kopshti u bënë majmunët e parë në botë që dolën pozitivë në testin për Covid-19 në janar, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve janë të shqetësuar për kërcënimin që u paraqitet majmunëve nga sëmundja Covid-19. Shqetësimi është më i madh për gorillat, të cilat janë në listën e kuqe të specieve të rrezikuara nga zhdukja.

Në mesin e majmunëve të vaksinuar ishte edhe orangutani Karen, i cili në vitin 1994 u bë i pari i llojit të vet që iu nënshtrua një operacioni në zemër.

Zyrtarët thanë se kafshët e vaksinuara nuk kanë shfaqur efekte anësore dhe së shpejti do të testohen për antitrupa, për të kuptuar nëse vaksinat kanë reaguar me sukses.

Raste të kafshëve të prekura nga Covid-19 janë regjistruar edhe në kopshte tjera zoologjike, përfshirë kopshtin Bronx në Nju Jork dhe luanët e infektuar në kopshtin zoologjik të Barcelonës.