Futbolli i Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës mund të bëhet falas për tifozët në mbarë botën nëse një propozim radikal i presidentit të Real Madridit, Florentino Pérez, bëhet realitet.
Mbrëmjen e 12 majit u mbajt një konferencë për shtyp tronditëse dhe kontroverse, ku presidenti i Real Madridit, Pérez, konfirmoi se zgjedhjet e klubit do të mbahen tre vite më herët sesa ishte planifikuar.
Ky vendim erdhi pasi gjiganti spanjoll dështoi të fitojë një trofe për të dytin sezon radhazi, shkruan “Gazeta Express”.
Me zgjedhjet e reja, tifozët e Real Madridit do të kenë mundësinë të votojnë nëse dëshirojnë që 79-vjeçari të vazhdojë ta drejtojë klubin në të ardhmen e afërt – një vendim që mund të ndikojë te tifozët e futbollit në mbarë botën.
Kjo sepse një pjesë e planeve të Pérez mund të sjellë një ndryshim rrënjësor të modelit aktual televiziv.
Sipas mediumit spanjoll “Voz Populi”, Pérez beson se futbolli duhet të jetë falas për t’u parë, “ashtu si ndodhi me Kupën e Botës për Klube verën e kaluar”, gjë që ka nxitur diskutime për kompeticionet e tjera madhore.
Mediumi gjithashtu pretendon se një marrëveshje për transmetimin e garave evropiane në televizione falas është “shumë afër finalizimit”.
Sipas raportimeve, si pjesë e negociatave që po udhëhiqen nga këshilltari kryesor i Pérez, Anas Laghrari, Real Madridi ka pranuar të pezullojë padinë shumë-miliardëshe kundër UEFA-s për veprimet ndaj Superligës Evropiane, me kusht që të arrihet një model i ri televiziv.
Laghrari thuhet se po propozon që Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës të transmetohen në një platformë të re digjitale falas, e cila do të financohej nga reklamat e integruara në vend të abonimeve.
Megjithatë, mediumi shton se burime nga sektori i telekomunikacionit i kanë quajtur deklaratat e Pérez “premtime boshe”, duke pretenduar se ai thjesht po përpiqet të rizgjidhet.
Ky lajm vjen pasi u konfirmua se, për herë të parë që nga ribrandimi modern i kompeticionit 34 vite më parë, të tria finalet evropiane të UEFA-s nuk do të transmetohen falas në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit.
Në vend të kësaj, tifozët e Arsenalit, Aston Villas dhe Crystal Palacet do të duhet të kenë abonim në “TNT Sports” nëse dëshirojnë të ndjekin ekipet e tyre në finalet e Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.
Që kur “TNT” bleu të drejtat e UEFA-s në sezonin 2015-16, nën emrin e mëparshëm “BT Sport”, finalet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës janë transmetuar falas në televizion dhe “YouTube”.
Por këtë vit, transmetuesi ka vendosur të kufizojë qasjen vetëm për klientët dhe abonentët e platformës së tij streaming, “HBO Max”.
Sipas “The Guardian”, vendimi i “TNT Sports” ka shkaktuar pakënaqësi tek UEFA, me burime që pretendojnë se ky veprim bie ndesh me frymën e kontratës, ku thuhet se duhet të bëhen “përpjekjet më të mira të mundshme” që finalet të transmetohen falas.
“TNT Sports” do t’i humbasë të drejtat për të tri kompeticionet nga sezoni 2027-28, me “Paramount” që do të marrë Ligën e Kampionëve, ndërsa “Sky Sports” do të transmetojë dy garat e tjera pasi fitoi garën për të drejtat televizive vitin e kaluar./GazetaExpress/