Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi se vendi i tij “nuk është në shitje”, pas një takimi me emisarin amerikan në Nuuk.
Nielsen e cilësoi takimin me guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si “konstruktiv” dhe tha se bisedimet u zhvilluan me respekt të ndërsjellë.
“E bëmë të qartë se populli i Groenlandës nuk është në shitje dhe se ka të drejtën e vetëvendosjes. Kjo nuk është çështje për negociata”, deklaroi ai para gazetarëve.
Megjithatë, kryeministri theksoi se nuk ka parë ndryshim në qëndrimin e SHBA-së ndaj ishullit arktik.
Edhe ministri i Jashtëm i Groenlandës, Mute Egede, tha se “vijat e kuqe” të palëve mbeten të pandryshuara.
Tensionet mes Groenlandës dhe SHBA-së janë rritur pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e kontrollit të ishullit strategjik në Arktik.
Ndërkohë, SHBA dhe autoritetet e Groenlandës kanë ngritur një grup pune për të diskutuar çështjet e sigurisë dhe pranisë ushtarake amerikane në rajon.
Emisari amerikan Jeff Landry ndodhet në Nuuk për të marrë pjesë në një forum ekonomik dhe në inaugurimin e zyrave të reja të konsullatës amerikane në ishull. /Panorama