Kapiteni i Real Madridit, Dani Carvajal, ka publikuar një video lamtumire për klubin pasi largimi i tij u konfirmua të hënën.
Mbrojtësi i djathtë 34-vjeçar është pa kontratë këtë verë dhe “Los Blancos” nuk i kanë ofruar rinovim.
Largimi i Carvajalit do të thotë se për të gjashtin vit radhazi kapiteni i Real Madridit largohet nga klubi.
Veterani spanjoll ka pasur probleme të shumta me dëmtimet gjatë dy viteve të fundit dhe, pas rikthimit, nuk arriti të rimarrë vendin e titullarit nga Trent Alexander-Arnold këtë sezon, duke humbur pozitën startuese për herë të parë pas më shumë se një dekade.
Kjo gjithashtu i kushtoi një vend në skuadrën e Spanjës për Kupën e Botës këtë verë.
Në mesazhin e tij emocionues të lamtumirës, Carvajal shkroi:
“Ai djaloshi ëndërrimtar nuk mund ta kishte imagjinuar kurrë se po niste udhëtimin e jetës së tij. Ishin dhjetë vite të paharrueshme, duke kaluar në çdo nivel të La Fabrica, duke mësuar si futbollist dhe, mbi të gjitha, si njeri. Aty mësova çfarë do të thotë të mbrosh këtë stemë. Kuptova se të jesh madridist nuk është vetëm të luash futboll; është një mënyrë jetese”, shkroi ai.
“Në vitin 2012 arritëm atë promovim historik me Castillan, një arritje që e ruaj me krenari. Pastaj, pas një viti në Gjermani, u ktheva në shtëpi. U ktheva në vendin ku gjithmonë kam dashur të jem. Ëndrra ime po bëhej realitet, por më e mira ende nuk kishte ardhur”, shtoi ai.
“Që atëherë kemi përjetuar net që do të mbeten përgjithmonë në histori dhe në zemrën time. ‘La Décima’, tre Liga të Kampionëve radhazi, tituj të La Liga-s, rikthime të pamundura… Dy trofe të tjerë evropianë të fituar në një Santiago Bernabeu që dridhej si kurrë më parë. Vetëm ata që kanë qenë brenda këtij stadiumi mund ta kuptojnë magjinë e këtij klubi kur sfidon të pamundurën”, u shpreh Carvajali.
“Rruga nuk ishte gjithmonë e lehtë. Kishte dëmtime, pengesa dhe momente dyshimi që më vunë në provë. Dhe gjithmonë, gjithmonë u ngrita përsëri. Sepse nëse kjo stemë më ka mësuar diçka, është të mos dorëzohem kurrë”, bëri me dije ai.
“Në ditën e prezantimit tim ju thashë se do të jepja gjithçka në fushë për ta bërë këtë klub dhe këtë skuadër më të mirë. Sot, pas gjashtë Ligave të Kampionëve dhe 27 trofeve, largohem i qetë, duke e ditur se e mbajta fjalën.”
“Po e mbyll këtë kapitull pas më shumë se 450 ndeshjesh, duke dhënë absolutisht gjithçka. Mund vetëm t’ju falënderoj për çdo duartrokitje, për çdo natë magjike, për shtytjen drejt fitoreve të pamundura dhe për ta bërë ‘Bernabeun’ vendin ku ëndrrat bëhen realitet.”
“Largohem me zemrën plot dhe me krenari të përjetshme. Duke e ditur se dhashë gjithçka për këtë klub, sepse të jesh madridist nuk shpjegohet, por ndjehet. Lamtumirë përgjithmonë, Real Madrid”, e mbylli Carvajali.
Shumë legjenda të Real Madridit komentuan në postimin e Carvajal për t’i bërë homazhe kapitenit, përfshirë Sergio Ramos, Iker Casillas dhe Nacho Fernandez, paraardhësin e tij si kapiten. Vinicius Junior gjithashtu e quajti Carvajal “legjendë”, duke e përshkruar si mbrojtësin e djathtë më të mirë në histori.
Presidenti Florentino Perez la gjithashtu një mesazh personal në deklaratën zyrtare të klubit, një gjest i rrallë.
“Dani Carvajal është një legjendë dhe simbol i Real Madridit dhe akademisë sonë. Imazhi i tij pranë Alfredo Di Stefano-s tonë të paharrueshëm duke vendosur gurthemelin e qytetit sportiv të Real Madridit do të mbetet përgjithmonë në zemrat e të gjithë madridistëve dhe në historinë e klubit.”
“Carvajal gjithmonë ka përfaqësuar vlerat e Real Madridit. Kjo është dhe gjithmonë do të jetë shtëpia e tij”, e mbylli presidenti.
Carvajal zhvilloi 450 ndeshje me Real Madridin, duke fituar 27 trofe, përfshirë gjashtë Liga të Kampionëve dhe katër tituj të La Ligas./GazetaExpress/