Themeluesja e “Thinking Machines” dhe ish-drejtoresha e teknologjisë në OpenAI u shfaq në tapetin e kuq me një fustan të zi të zbukuruar me gurë të verdhë.
Në mbrëmjen më të madhe të modës në botë, Met Gala, nuk mungoi as Mira Murati. Themeluesja e kompanisë “Thinking Machines” dhe ish-drejtoresha e teknologjisë në OpenAI, ishte pjesë e eventit prestigjioz të këtij viti, i cili u mbajt nën temën “Arti i Kostumit” dhe mblodhi figura të njohura nga moda, arti dhe showbiz-i ndërkombëtar, transmeton albinfo.ch.
Murati u shfaq në tapetin e kuq e veshur me një fustan të zi elegant, të mbuluar me gurë të verdhë, ndërsa dekolteja në formë V i dha pamjes një stil të veçantë dhe modern.
Kjo nuk është hera e parë që Mira Murati merr pjesë në Met Gala. Ajo ishte e pranishme edhe në vitin 2024, kur u paraqit me një fustan të Christian Dior të vitit 1951, duke tërhequr vëmendje me zgjedhjen e saj klasike dhe të rafinuar./Albinfo.ch
