Milaim Zeka: Thaçi më tha se Tomë Gashi është bashkëpunëtor i Serbisë - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

30/09/2020 12:06

Milaim Zeka: Thaçi më tha se Tomë Gashi është bashkëpunëtor i Serbisë

Lajme

Gazeta Express

30/09/2020 12:06

Ish-deputeti i Nismës, Milaim Zeka, ka deklaruar për Gazetën Express se ka hapur rast kundër avokatit Tomë Gashi. Kjo për shkak të publikimit të një dokumenti nga Gashi, me të cilin pretendonte se Zeka ka dëshmuar në Gjykatën Speciale. Zeka ka akuza të tjerë për Gashin. Thotë se në një bisedë që ka pasur me Presidentin Thaçi, ky i fundit ka thënë se e ka larguar Gashin nga pozita e këshilltarit juridik, pasi e ka kuptuar se është bashkëpunëtor i Serbisë, shkruan Gazeta Express

Zeka ka deklaruar se ka hapur rast ndaj Gashit, për shkak të postimit të cilin ky i fundit e ka shpërndarë në Facebook.

“Dje i kam hapur rast Tomë Gashit. Pesë orë kam qenë në Polici. Rastin e kam hapë për shkak të shkrimit që e ka bërë Tomë Gashi ndaj meje. Ajo s’ka qenë dëshmi, por ka qenë fjalë mbrojtëse. Tomë Gashi më nxjerr mua si dëshmitar të Gjykatës Speciale”, ka thënë Zeka për Express.

Zeka ka thënë se Gashi e quan “znaqkë”, duke iu referuar fjalëve të Kadri Veselit.

Ndërkaq thotë se Gashi e ka shpërndarë një pjesë të procesit gjyqësor që është mbajtur në vitin 2016.

“Edhe punën e znaqkës, ai i referohet Kadri Veselit. Tomë Gashi më nxjerr edhe dëshmitar të Gjykatës Speciale edhe agjent serb, le ta dëshmojë ai.  Në vitin 2016 procesi gjyqësor në Kosovë që më është bërë, lind pyetja, pse e nxjerr tani ai nga viti 2016 tani në vitin 2020”, ka thënë Zeka.

Zeka ka deklaruar se e tërë kjo po bëhet për shkak të “hatrimit” që Gashi ka me Presidentin Thaçi, pasi siç pretendon Zeka, Thaçi e ka larguar Gashin nga pozita e këshilltarit juridik pasi ka kuptuar se është bashkëpunëtor i Serbisë.

“Hatrimi i Tomë Gashit është se Presidenti Thaçi në prezencë të Sami Lushtakut dhe një personi tjetër më ka thënë se “unë e kam marrë këshilltar juridik Tomë Gashin, por në momentin që më ka ardhur dosja e tij se është bashkëpunëtor i Serbisë e kam larguar”. Tash një bashkëpunëtor i Serbisë po më akuzon mua.  E kam thënë, me i mbrojtë veteranët Tomë Gashi, është si t’i mbrojë Vuçiqi”, ka thënë Zeka për Express.

Avokati Tomë Gashi të hënën ka publikuar një dokument ku tregon se Milaim Zeka ka dëshmuar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë më 3 shkurt të vitit 2016.

Gashi thotë se është e sigurt se Zeka (të cilin e quan znaqkë), këto dëshmi i ka dhënë edhe në Gjykatën Speciale.

“Kjo është vetëm një faqe e dëshmisë se Znaqkes ne Gjykate, me 03 shkurt 2016,(Gjykata Themelore e Mitrovicës P 51/14).  Ne avokatët e mbrojtëm mirë Znaqkën, ai u liru ne Gjykate, por akuzat e tij kunder UÇK mbetën! Është e sigurt  që këto dëshmi të Znaqkës janë në Gjykatën Speciale, tash po e pres  Eulexin, se me ka marrë malli për Nasim Haradinajn, dhe për Hysni Gucatin”, ka shkruar Gashi në Facebook./Express/