Hetimi i BBC: Mbi 34 mijë prona ukrainase janë marrë ose synohen të konfiskohen nga Rusia në territoret e pushtuara - Gazeta Express
string(114) "hetimi-i-bbc-mbi-34-mije-prona-ukrainase-jane-marre-ose-synohen-te-konfiskohen-nga-rusia-ne-territoret-e-pushtuara"

Lajme

Gazeta Express

07/08/2026 9:47

Hetimi i BBC: Mbi 34 mijë prona ukrainase janë marrë ose synohen të konfiskohen nga Rusia në territoret e pushtuara

Lajme

Gazeta Express

07/08/2026 9:47

Një hetim i BBC Verify dhe BBC Russian ka zbuluar se mbi 34 mijë prona në pronësi të qytetarëve ukrainas janë sekuestruar ose janë përfshirë në listat për konfiskim në zonat e pushtuara nga Rusia.

Autoritetet e vendosura nga Moska po i shpallin banesat “pa pronar” dhe më pas po ua kalojnë ato personave me pasaporta ruse ose po i përdorin për qëllime të administratës së pushtimit.

Të dhënat e analizuara tregojnë se, prej vitit 2024, janë evidentuar 34,002 apartamente, shtëpi dhe banesa pushimi në rajonet e Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhzhias. Lista nuk përfshin vetëm prona banimi, pasi në shënjestër janë vënë edhe mijëra biznese, mes tyre zyra dhe hotele.

Një prej rasteve të dokumentuara nga hetimi është ai i Ihor Ivashchuk, pastor ungjillor nga Melitopoli. Ai u largua nga qyteti në vitin 2022, pas pushtimit rus, për t’i siguruar bashkëshortes së tij trajtim mjekësor.

Para se të largohej, Ivashchuk ia la shtëpinë në kujdes një miku. Në fund të vitit 2024, ky i fundit u përball me persona të armatosur me uniforma ushtarake, të cilët kërkuan dokumentet e pronësisë. Disa muaj më pas, miku u dëbua dhe banesa nuk figuronte më në pronësinë e tij.

Sipas BBC-së, pronarët ukrainas zakonisht nuk marrin njoftim zyrtar kur pasuria e tyre klasifikohet si “pa pronar”. Për ta mbrojtur atë nga konfiskimi, ata duhet të pajisen me shtetësi ruse, të rikthehen vetë në territoret e pushtuara brenda 30 ditëve dhe t’u nënshtrohen kontrolleve të rrepta të sigurisë, çka i ekspozon edhe ndaj rrezikut të arrestimit.

BBC Verify e raportoi për herë të parë këtë praktikë në Mariupol, ku vitin e kaluar ishin identifikuar rreth 5,700 prona për sekuestrim. Pas kësaj, presidenti rus Vladimir Putin firmosi një ligj që e formalizon procedurën në katër rajonet e aneksuara në mënyrë të paligjshme.

Mes materialeve të hetimit është edhe historia e një familjeje nga Mariupoli. Vajza e pronarit, e paraqitur me emrin e ndryshuar Ivanna për arsye sigurie, tregoi se babai i saj e kishte ndërtuar shtëpinë për nënën e sëmurë me kancer. Për familjen, ajo ishte një vend i lidhur me kujtimet e tyre. Megjithatë, në prill, autoritetet e pushtimit u thanë gjyshërve të Ivannës se prona ishte futur në listën e sekuestrimit.

Dokumentet e verifikuara nga BBC tregojnë se në një ndërtesë apartamentesh në Mariupol janë shpallur “pa pronar” 61 banesa. Në të njëjtën zonë, autoritetet kanë identifikuar për konfiskim 393 apartamente të shpërndara në 17 ndërtesa.

Të dhënat e mbledhura ngrenë shqetësime për përmasat e konfiskimit të pasurive në territoret e pushtuara dhe pasojat që kjo praktikë ka për mijëra familje ukrainase të detyruara të braktisin shtëpitë e tyre.

Advertisement
Advertisement
Advertisement