Mickoski paralajmëron sfidë të thellë demografike për Maqedoninë - Gazeta Express
string(64) "mickoski-paralajmeron-sfide-te-thelle-demografike-per-maqedonine"

Maqedoni

Gazeta Express

19/06/2026 15:20

Mickoski paralajmëron sfidë të thellë demografike për Maqedoninë

Maqedoni

Gazeta Express

19/06/2026 15:20

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se Maqedonia ndodhet përballë një problemi të rëndë demografik dhe se vendi duhet të nisë të mendojë seriozisht për të ardhmen. Sipas tij, në 20-25 vitet e ardhshme, shtetit mund t’i mungojnë nga 150.000 deri në 250.000 banorë, boshllëk që, siç thotë ai, dikush do të duhet ta plotësojë.

Në podkastin “Ku janë paratë”, Mickoski tha se nevojiten analiza të hollësishme dhe planifikim disa dekada përpara, në mënyrë që të rinjtë në moshë pune të mbeten në vend dhe të japin kontribut në ekonominë vendore.

“Duhet të bëhen analiza dhe të mendohet disa dekada përpara, me qëllim që të rinjtë e aftë për punë të qëndrojnë në vend dhe të kontribuojnë në ekonominë vendore. Absolutisht do të vijë koha, ndoshta jo tani, por pas 15, 20–25 vjetësh, që pamja demografike në Maqedoni të ndryshojë tërësisht. Unë vlerësoj se nga perspektiva e sotme, pas 15, 20–25 vjetësh, Maqedonisë do t’i mungojnë ndoshta nga 150 deri në 250 mijë njerëz. Ku qëndron problemi? Ai është pjesë e një zinxhiri. Nëse Evropa ka problem me demografinë, dhe e ka madje më të madh se ne, atëherë një pjesë e potencialit tonë shkon atje. Pavarësisht zhvillimit të tyre të mëtejshëm si individë dhe si njerëz, ata krijojnë një zbrazëti këtu. Që kjo ekonomi të vazhdojë të zhvillohet, dikush duhet ta plotësojë atë hapësirë të zbrazët dhe është logjike që njerëz dhe punëtorë nga vende të treta të vijnë dhe ta mbushin atë boshllëk që do të lënë ata që largohen drejt Evropës Perëndimore. Prandaj, nëse në Evropën Perëndimore përmirësohet situata demografike dhe arrijmë në një normë fertiliteti prej 2,1, atëherë të rinjtë që janë të aftë për punë do të qëndrojnë këtu dhe do të kontribuojnë në ekonominë vendore”, potencoi Mickoski.

Ai nënvizoi gjithashtu se kjo çështje është thelbësore për zhvillimin e ardhshëm të shtetit, por shtoi se sa herë flet për familjen dhe demografinë, përballet me tallje dhe fyerje nga ajo që e quajti pjesë të caktuara të shoqërisë.

Sipas Mickoskit, drejtimi i shtetit kërkon shqyrtim afatgjatë të të gjitha proceseve, dhe jo qasje të përditshme pa vizion për dekadat që vijnë.

“Kur flas për familjen dhe kur flas për demografinë, ka struktura të caktuara në shoqëri, të cilat unë i quaj fundërrina e shoqërisë, që më përqeshin, më ofendojnë, shkruajnë keq për mua e kështu me radhë, por kjo është thjesht e ardhmja. Nëse ju sot nuk mendoni se çfarë do të ndodhë pas 50, 75 apo 100 vjetësh, atëherë nuk duhet të merreni me këtë punë, kërkoni ndonjë punë tjetër, ndonjë punë që bëhet dita ditës dhe vazhdoni. Nëse e udhëhiqni shtetin dhe Qeverinë, ju duhet t’i analizoni të gjitha aspektet disa dekada përpara, nëse dëshironi të jeni një njeri që lë gjurmë. Nëse dëshironi të jeni një mediokër në politikë dhe për fat të keq kemi pasur shumë të tillë, atëherë do të përfundojmë në këtë situatë”, theksoi Mickoski.

Advertisement
Advertisement
Advertisement