Pas përfundimit të hetimit, Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka dorëzuar sot Aktakuzë kundër një 25-vjeçari, banor i Staro Nagoriçanit, i dyshuar për kryerjen e katër veprave penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 4 e Kodit Penal, si dhe dy tentativa për vrasje të të njëjtës formë të kualifikuar. Meqenëse me dashje ka privuar nga jeta disa persona, sipas nenit 123 paragrafi 3 të Kodit Penal, ai rrezikon dënim me burgim prej së paku 10 vitesh ose me burgim të përjetshëm.
Sipas ekspertizave të kryera gjatë hetimit, ai i ka kryer veprat nga motive jashtëzakonisht të ulëta, përkatësisht me qëllim të kënaqjes së epsheve të tij seksuale ndaj trupave të pajetë të grave, që nënkupton aktin e nekrofilisë.
Krimet kanë filluar natën mes 5 dhe 6 janarit të vitit 2025 në fshatin Kleçoc, ku ai privoi me dashje nga jeta një grua të moshuar dhe të pafuqishme. Ai ka hyrë në shtëpinë e saj dhe derisa ajo ishte duke fjetur në shtrat, e ka sulmuar fizikisht dhe ka filluar ta mbytë me dhunë, me çka gruaja ka ndërruar jetë nga thyerjet dhe lëndimet e shumta që ia pamundësuan frymëmarrjen.
Më pas, në një periudhë kohore të papërcaktuar saktë mes 5 dhe 7 qershorit të vitit 2025 në fshatin Dragomanc, ai në mënyrë të ngjashme privoi me dashje nga jeta edhe një grua tjetër. Ngjarja e tretë është regjistruar më 22 korrik 2025 në fshatin Çellopek, ku ai tentoi ta privojë nga jeta një grua, por ajo arriti ta trembte duke thirrur djalin e saj, pas së cilës i akuzuari u largua.
Gjatë orëve të mbrëmjes mes 17 dhe 18 janarit të vitit 2026 në fshatin Staro Nagoriçan, i akuzuari privoi me dashje nga jeta një grua më të re në moshë, por për të cilën gjithashtu e dinte se jetonte vetëm, duke përdorur një mënyrë të ngjashme ekzekutimi si te viktimat e mëparshme për të realizuar qëllimet e tij makabre. Po ashtu, në orët e mbrëmjes mes 5 dhe 6 shkurtit të vitit 2026 në fshatin Çellopek, ai privoi nga jeta edhe një tjetër viktimë të moshuar dhe të pafuqishme.
Ngjarja e fundit e regjistruar ka ndodhur më 9 shkurt 2026 po ashtu në fshatin Çellopek, ku ai me dashje tentoi ta privonte nga jeta një grua tjetër, burimi i vetëm i shpëtimit të së cilës ishte se ai u tremb nga një zhurmë që dëgjoi dhe iku para se ta realizonte qëllimin. Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Kumanovë edhe propozimin për vazhdimin e masës së paraburgimit të caktuar më parë për të akuzuarin.
tag_katrorimaqedoni_2