Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qytetarëve që të vijnë më 2 mars në bulevardin qendror të Tiranës, duke treguar dhe hapat që sipas tij faktojnë sesi qeveria po tenton të kapë shtetin përmes ‘vjedhjes’ së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një postimi në rrjetin social, Meta ka përcjellë 7 hapat e qeverisë, që sipas tij tregojnë si është tentuar kapja e shtetit.
Statusi i Ilir Metës
Hapi i parë
Vjedhja e zgjedhjeve të 2017-ës, duke përdorur çunat problematikë, sipas
dosjeve 184 të Dibrës dhe 339 të Shijakut, që lëvizin si top ping-pongu nga një
zyrë e prokurorisë në tjetrën.
Përdorimi i Policisë së Shtetit në manipulimin e zgjedhjeve, siç rezulton në
këto dosje, e frymëzuar edhe nga thirrja publike e Kryeministrit Edi Rama ndaj
çdo polici për të bërë fushatë për Partinë Socialiste.
Hapi i dytë
Kapja në mënyrë anti-kushtetuese e Prokurorisë me 69 vota (nga 84 vota të
sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, të miratuar me unanimitet me 140
vota), dhe bashkë me të edhe hetimin për të siguruar pandëshkueshmërinë totale
të tyre, për të mbyllur çdo çështje penale që rëndon mbi ta dhe bashkëpunëtorët
e tyre, për ta përdorur si mjet shantazhi ndaj kundërshtarëve politikë.
Hapi i tretë
Provokuan braktisjen e Parlamentit nga opozita dhe vrapuan për të zëvendësuar
182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës, në mënyrë anti-kushtetuese
e të paligjshme, vetëm me një akt administrativ. Edhe sot pas një viti,
Parlamenti është në gjendje të rëndë anti-kushtetuese (122 deputetë me letra
nga 140 që kërkon Kushtetuta).
Hapi i katërt
Përmes Parlamentit monist miratuan Rezolutë kundër dekreteve të Presidentit të
Republikës për zgjedhjet e 30 qershorit. Organizata rilindase e partisë në
Komisionin Qendror të Zgjedhjeve arriti deri aty sa rrëzoi edhe dekretet e
Presidentit duke dhunuar haptas Kushtetutën.
Mosbotimi i dekretit të Presidentit për 13 tetorin në Fletoren Zyrtare në
kundërshtim me ligjin.
Organizuan zgjedhje të paligjshme njëpartiake, kapën 100% pushtetin lokal dhe
të 61 Bashkitë u bënë moniste, bashkë me Këshillat e tyre.
Hapi i pestë
Miratuan KÇK për të asgjësuar totalisht drejtësinë e për ta futur plotësisht në
thundrën e qeverisë dhe të policisë, për të mbyllur çdo mundësi për ndëshkimin
e kriminalizimit dhe korrupsionit të Rilindjes, si dhe për të përgjuar në
mënyrë mafioze e të paligjshme këdo që i denoncon dhe thotë të vërtetat për ta.
Hapi i gjashtë
Për të kapur përfundimisht median dhe AMA-n, miratuan ligjin e ashtuquajtur
“Anti-shpifje”, megjithëse Këshilli i Europës ishte totalisht kundër, aq sa u
detyrua që po vetë ta çojë në Komisionin e Venecias.
Hapi i shtatë
Tentativa për kapjen e Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet falsifikimeve,
mashtrimeve dhe shkeljes së Kushtetutës e ligjit nga Kryetari i Këshillit të
Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani, nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj
dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, duke bërë pjesë të grushtit të shtetit të gjithë
institucionet e kapura totalisht nga qeveria. Ky hap kishte për qëllim
asgjësimin përfundimtar, jo vetëm të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese, por
edhe të çdo mundësie për llogaridhënie në Republikën e Shqipërisë, duke vënë në
pikëpyetje edhe sovranitetin dhe integritetin e vendit.
Hapi i fundit
Miratimi anti-kushtetues i ligjit të betimit të gjyqtarëve të Gjykatës
Kushtetuese (pa pritur Komisionin e Venecias që e kërkuan vetë), për të futur
si anëtarë të saj Dvoranët, Artat dhe Etildat e Rilindjes.
Më pas u ka mbetur edhe hapi final: shkarkimi i Presidentit të Republikës së
Shqipërisë, me porosi të UDB-së, për të zgjedhur një President me “Etikë” që të
lobojë dhe të firmosë për ndarjen e Kosovës dhe për çdo projekt tjetër
anti-kombëtar.
Por shqiptarët kanë 100 vjet që janë ndarë nga Esat Pashë Tradhëtari.
Të dashur qytetarë,
Ju ftoj të gjithëve në 2 mars, në
ora 17:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër grushtit të shtetit dhe
mbrojtjes, jo vetëm të integritetit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës,
por të vetë shtetit tonë, kombit dhe interesit kombëtar.
Shqiptarët e bashkuar kundër puçistëve të zbuluar!