Kylian Mbappe ka pranuar se u ndje “shumë nervoz” gjatë ndërprerjes së gjatë të ndeshjes mes Francës dhe Irakut në Kupën e Botës, pasi një stuhi e fortë në Filadelfia detyroi zyrtarët ta pezullonin takimin për gati dy orë.
Lojtarët e të dyja skuadrave u kthyen në zhveshtore dhe pritën derisa kushtet atmosferike të përmirësoheshin. Pavarësisht ndërprerjes së gjatë, Franca arriti të ruante qetësinë pas rifillimit të lojës dhe fitoi bindshëm 3-0.
Mbappe ishte vendimtar për “Gjelat”, duke shënuar dy gola dhe duke ndihmuar Francën të siguronte kualifikimin në fazën e eliminimit direkt.
Pas ndeshjes, kapiteni francez foli hapur për vështirësinë e pritjes.

“Ishte një mbrëmje shumë e gjatë. Kaloi shumë kohë, emocionalisht ishte e vështirë dhe isha shumë nervoz. Duhej të qëndronim të përqendruar dhe të pranishëm në zhveshtore”, tha Mbappe.
Ai shtoi se qëndrimi për aq gjatë jashtë ritmit të ndeshjes ishte sfidë e madhe për lojtarët.
“Ishte një orë e gjysmë, gati dy orë, në zhveshtore. Të qëndrosh i fokusuar është shumë e vështirë. Kërkon shumë energji. Bëmë një përpjekje të madhe për të mbetur të përfshirë në ndeshje. Ishte e komplikuar, por në fund arritëm objektivin tonë.”
Me këtë fitore, Franca siguroi vendin në fazën tjetër të Botërorit. Megjithatë, skuadra e Didier Deschamps do ta mbyllë grupin me ndeshjen ndaj Norvegjisë, ku do të vendoset edhe fituesi i grupit. /GazetaExpress/
Blerjet e përditshme tani mund t’ju sjellin më shumë se produkte në shportë. Më 26 dhe 27 qershor, Interex...