Kosova ka nisur hartimin e Strategjisë për Burimet Njerëzore në Shëndetësi 2026–2050, që synon të orientojë zhvillimin afatgjatë të fuqisë punëtore shëndetësore dhe të forcojë kapacitetet e sistemit shëndetësor. Në këtë intervistë me shkrim, Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Jahë Gecaj, flet për prioritetet e procesit, adresimin e mungesave në profile të caktuara profesionale, përmirësimin e planifikimit përmes sistemeve të të dhënave si dhe mbështetjen që po ofrohet nga partnerët ndërkombëtarë.
Strategjia synon të ofrojë zgjidhje për profilet deficitare, me fokus të veçantë në anesteziologji, shëndet publik dhe mjekësi të punës.
Intervista e plotë:
Kosova aktualisht është në proces të hartimit të Strategjisë për Burimet Njerëzore në Shëndetësi 2026–2050. A mund të ndani me ne cilat janë prioritetet që po udhëheqin këtë proces?
Gecaj: Ministria ka filluar procedurat për hartimin e planit strategjik afatgjatë (10 -15 vjeçar) për burime njerëzore. Në këtë proces kemi angazhuar edhe ekspertë nga Bashkim Evropian për të marrë përvojat me të mira të cilat janë dëshmuar në vendet e zhvilluara. Prioritetet do të përcaktohen nga vet analiza e sektorit, por gjithsesi se fushat deficitare do të adresohen ne fazën e parë, sikurse profili i anesteziologëve dhe profili në shëndet publik. Gjithsesi që plani strategjik do të ofrojë opsione edhe për Mjekësinë e punës që në vitet e fundit kishte humbur thuajse të gjitha specialistët e mjekësisë së punës që janë pensionuar apo kanë vdekur dhe kjo kërkon adresim të menjëhershëm për të mbuluar nevojat e tregut të punës. Meqenëse Plani strategjik është në fazën fillestare të hartimit, prioritetet ende nuk mund të konsiderohen që janë përcaktuar.
Sigurimi i qasjes në shërbime shëndetësore në të gjithë vendin mbetet objektiv i rëndësishëm. Si po i qaset Ministria çështjes së shpërndarjes më të balancuar të profesionistëve shëndetësorë në nivel vendi?
Gecaj: Zbatimi i Ligjit për sigurim shëndetësor dhe alokimi i drejtë i resurseve aktuale do të përmirësojë mbrojtjen financiare dhe mundësinë e qasjes dhe përfshirjes së grupeve të cenueshme përmes mbulimit të shërbimeve shëndetësore nga pakoja bazike. Pakoja bazike duhet të përfshijë shërbimet shëndetësore që mbulojnë nevojat kyçe të cilat do t’iu ofrohen të gjithë qytetarëve pavarësisht nga gjendja e tyre financiare. Fuqizimi i Fondit të sigurimit shëndetësor, është elementi kyç në procesin e riorganizimit të financimit të shëndetësisë, përkatësisht sigurimin e burimeve të qëndrueshme dhe të mjaftueshme financiare për sektorin e shëndetësisë. Është me rëndësi që politikat reformuese në shëndetësi të mbështeten në vendime qeveritare për t’i dhënë reformave kuptimin e duhur në aspektin financiar, ligjor si dhe përcaktimin e duhur kohor.
Forcimi i sistemeve të të dhënave mbështet planifikimin. Si e sheh Ministria rolin e përmirësimit të sistemeve të të dhënave dhe informacionit në orientimin e vendimmarrjes në të ardhmen?
Gecaj: Ministria është bartëse e aktiviteteve të reformës së sistemit shëndetësor dhe është përgjegjëse për zbatimin e reformave në shëndetësi, duke përfshirë dhe siguruar pjesëmarrjen e të gjithë vendimmarrësve dhe grupeve të interesit që në veçanti kanë të bëjnë me siguri dhe cilësi të shërbimeve shëndetësore. Qeveria e Republikës së Kosovë (QRK) ka përcaktuar digjitalizimin si një nga prioritetet kryesore të vendit. Ministria ka zhvilluar vlerësimin gjithëpërfshirës me qëllim të orientimit strategjik të zhvillimit, funksionalizmit dhe integrimit të SISh që paraqet parakushtin esencial të politikbërjes të bazuar në dëshmi. Mbi bazën e këtij vlerësimi Qeveria ka miratuar Planin Strategjik për zhvillimin e SISh 2024-2030, i cili parasheh rishikimin e statusit aktual të zhvillimeve në SISh, për të rivendosur qasjen për arkitekturën e shëndetësisë digjitale dhe zhvillimin gjithëpërfshirës të SISh. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e të dhënave dhe informacionit në orientimin e vendimmarrjes në të ardhmen.
Si po e sheh Ministria koordinimin ndërmjet ofruesve publikë dhe privatë, si në aspektin e planifikimit të fuqisë punëtore, ashtu edhe të ofrimit të shërbimeve?
Gecaj: Ligji për shëndetësi ka përcaktuar që Ministria rregullon, mbikëqyrë dhe kontrollon zbatimin e kujdesit shëndetësor në institucionet publike dhe private në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor. Sa i përket sektorit privat, Ministria do të krijojë mekanizma që themelimi i institucioneve private shëndetësore të bëhet në raport me nevojat dhe kërkesat e popullatës për ato shërbime. Ministria sektorin privat e konsideron të barabartë me sektorin publik dhe të dy sektorët do të plotësojnë njëri tjetrin me qëllim të sigurimit të qasjes në shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës se Kosovës.
Procesi i hartimit të strategjisë është mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes Projektit për Shërbime të Integruara Shëndetësore (IHS). Si do ta përshkruanit këtë bashkëpunim për Ministrinë dhe për sistemin shëndetësor në tërësi?
Strategjia mbështetet në kontributin e çmuar të dhënë nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim nëpërmjet ofrimit të ekspertizës profesionale. Kjo mbështetje ka ndihmuar që dokumenti kryesor strategjik i sektorit të shëndetësisë të përcaktojë qartë drejtimin e zhvillimeve në sektorin e shëndetësisë.
Cilat janë disa nga fushat kryesore që Ministria synon t’i forcojë në vitet në vijim për të mbështetur një fuqi punëtore shëndetësore të qëndrueshme?
Gecaj: Sa i përket qasjes së shpërndarjes më të balancuar të profesionistëve shëndetësorë në nivel vendi, plani strategjik për burime njerëzore do të vlerësojë statusin aktual të personelit në dispozicion, sistemimin ekzistues të vendeve të punës dhe identifikimin e nevojave për burime shtesë në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, krijimin e mekanizmave dhe mjeteve për monitorim dhe vlerësim të performancës, përcaktimin e mënyrave konkrete të alokimit të duhur të burimeve njerëzore ekzistuese me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe disponueshmërisë së tyre si dhe krijimin e mekanizmave ekonomikisht të qëndrueshëm të shpërblimit dhe inkurajimit të punonjësve të kujdesit shëndetësor për punën e tyre. Gjithashtu, synohet fuqizimi i marrëdhënieve me diasporën në shëndetësi përmes rrjetëzimit të profesionistëve shëndetësor në mërgatë dhe programeve të shkëmbimit.
“Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS). IHS është nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e intervistës nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e IHS-së apo AGK-së.
Blerjet e përditshme tani mund t’ju sjellin më shumë se produkte në shportë. Më 26 dhe 27 qershor, Interex...