Kryeministri i sapozgjedhur hungarez Péter Magyar ka dhënë intervistën e tij të parë ndërkombëtare pas fitores historike në zgjedhje në Hungari, duke deklaruar se vendi po hyn në një epokë të re pas viteve të gjata të sundimit të Viktor Orbánit.
Në një intervistë për mediat italiane, ai u shpreh se është i vetëdijshëm për pritshmëritë e mëdha të qytetarëve, por paralajmëroi se nuk do të jetë një udhëheqës i përsosur.
“Shpresoj të jem në lartësinë e pritshmërive të njerëzve, por nuk do të jem perfekt, kjo është e sigurt”, deklaroi Magyar, i cili dukej i tensionuar dhe i përqendruar tek sfidat që e presin para marrjes zyrtare të detyrës si kryeministër.
Vizita e tij në rajonin italian të Ligurias duket se është e fundit si “njeri i lirë” përpara nisjes së mandatit të ri. Ai mori pjesë në prezantimin ndërkombëtar të dokumentarit “Spring Uind”, që hapi festivalin Riviera International Film Festival në qytetin Sestri Levante. Dokumentari tregon ngritjen politike të Magyar dhe lëvizjen që çoi në ndryshimin politik në Hungari.
Magyar tha se e ardhmja e Hungarisë duhet të ndërtohet në kontrast të plotë me të kaluarën. Sipas tij, në vend po ndodh një “zgjim kombëtar”.
Ai tregoi se për vite me radhë njerëzit kishin humbur interesin për politikën për shkak të frikës, apatisë dhe mungesës së debatit publik. “Tani politika është bërë sërish tërheqëse dhe njerëzit duan të flasin”, u shpreh ai.
Dokumentari që rrëfen rrugëtimin e tij politik u financua në mënyrë të pavarur dhe u xhirua në fshehtësi të plotë. Regjisori tregoi se ekipit iu kërkua të linte telefonat jashtë gjatë xhirimeve për të shmangur gjurmimin nga shërbimet sekrete. Sipas tij, shumë kinema në Hungari refuzuan ta shfaqnin filmin, megjithatë ai arriti rekord shikueshmërie me mbi 140 mijë spektatorë në kinema dhe miliona të tjerë online.
Një nga momentet më të forta të dokumentarit është takimi i shkurtër mes Magyar dhe Orbánit në Parlamentin Europian gjatë vitit 2024. Magyar kujton se i zgjati dorën rivalit të tij politik dhe i tha në sy: “Të dy e dimë se gjithçka ka marrë fund”.
Ai zbuloi se pas atij momenti nuk kishte pasur më kontakte me Orbán deri në telefonatën e urimit pas zgjedhjeve. Magyar kritikoi faktin se Orbán nuk kishte zhvilluar debate të drejtpërdrejta televizive me kundërshtarët që nga viti 2006 dhe premtoi se qeverisja e tij do të mbështetet tek debati publik dhe përfshirja e qytetarëve.
Sipas tij, fitorja erdhi falë kontaktit të drejtpërdrejtë me popullin. Për dy vite ai vizitoi rreth 700 zona dhe fshatra në të gjithë Hungarinë për të takuar qytetarët nga afër. Slogani i fushatës së tij ishte: “Mos kini frikë”, frymëzuar nga thirrja e famshme e Pope John Paul II.
Magyar tregoi se në zonat rurale shumë njerëz humbnin vendet e punës ose kërcënoheshin, nëse shprehnin hapur mbështetje për opozitën. Ai tha se ishte vendimtare t’i takonte personalisht qytetarët, t’u fliste dhe t’u jepte kurajë, që të mos ndiheshin vetëm.
Lideri i ri hungarez e përshkroi veten si një “i mbijetuar” politik. Ai theksoi se përvoja e tij si ish-pjesë e sistemit të Orbán e ndihmoi të kuptonte mënyrën sesi funksiononte propaganda shtetërore dhe mekanizmat e pushtetit. “I njoh truket e tyre dhe e di si mendojnë”, deklaroi ai.
Në fund, Magyar tha se fitorja është vetëm fillimi i një rruge të vështirë. Ai premtoi rindërtimin e Hungarisë, rimëkëmbjen ekonomike, rikthimin e fondeve të Bashkimit Europian dhe luftën kundër korrupsionit.
“Mandati që kemi marrë është ndër më të fuqishmit në Europë, por edhe përgjegjësia është shumë e madhe. Ne jemi gati të fillojmë punën”, përfundoi ai.