Mac Allister: Messi është i papërsëritshëm - Gazeta Express
string(41) "mac-allister-messi-eshte-i-paperseritshem"

Futboll

Gazeta Express

22/06/2026 11:19

Mac Allister: Messi është i papërsëritshëm

Futboll

Gazeta Express

22/06/2026 11:19

Mesfushori i Argjentinës, Alexis Mac Allister, ka folur me admirim për kapitenin e tij, Lionel Messi, duke pranuar se është pothuajse e pamundur të mësosh nga magjia e tij në fushë, pasi askush nuk mund ta përsërisë atë që bën legjenda argjentinase.

Pas fitores 3-0 ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës, ku Messi realizoi një tjetër “hat-trick”, Mac Allister u pyet për ndikimin e yllit të Inter Miamit te kampionët e botës.

“Më pëlqen shumë të luaj pranë Leos. Nuk do të ketë më një tjetër si ai. Kur e sheh nga afër, kupton se gjërat që bën nuk janë normale. Është shumë e vështirë të mësosh nga ajo që ai bën, sepse mund ta imagjinosh në kokë, por nuk mund ta realizosh në të njëjtën mënyrë”, deklaroi mesfushori i Liverpoolit.

Sipas tij, mësimi më i madh që mund të merret nga Messi nuk lidhet me futbollin, por me karakterin.

“Ajo që mësoj prej tij janë vlerat dhe përulësia që ka, pavarësisht se kush është dhe çfarë ka arritur”, shtoi ai.

Mac Allister pati rol të rëndësishëm edhe në golat e Argjentinës kundër Algjerisë, ndërsa shpjegoi se në aksionin e golit të parë e la topin të kalonte me vetëdije, pasi e dinte se pas tij ndodhej Messi.

Mbrëmja ishte historike për tetë herë fituesin e Topit të Artë. Përveç “hat-trickut”, Messi barazoi rekordin e Miroslav Klose për numrin më të madh të fitoreve në historinë e Kupës së Botës, me 17 suksese, ndërsa po ashtu po zhvillon Botërorin e tij të gjashtë.

Tani vëmendja e Argjentinës është te përballja e radhës ndaj Austrisë. Mac Allister paralajmëroi se kampionët e botës nuk duhet të nënvlerësojnë askënd.

“Ne jemi një grup që gjithmonë kërkon më shumë. Qëllimi ynë është vetëm të fitojmë. E dimë entuziazmin që sjell një Kupë Bote dhe duam të japim më të mirën në çdo ndeshje”, përfundoi ai. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement