Ish-banorja e “Big Brother VIP 4”, Loredana Brati, ka folur për herë të parë më gjerësisht rreth thashethemeve për një raport të mundshëm mes saj dhe këngëtarit Gjesti.
E ftuar në emisionin “Ndryshe”, me Elona Duron dhe Salsano Rrapin, Loredana sqaroi deklaratat e bëra më herët nga Xheneta në “E Diell”, ku kjo e fundit kishte thënë se Brati e kishte telefonuar për t’i treguar se Gjesti e kishte ngacmuar.
Loredana mohoi të ketë përdorur ndonjëherë fjalën “ngacmim”, duke theksuar se mes saj dhe Gjestit ka pasur vetëm një keqkuptim, por jo një situatë të tillë siç është interpretuar publikisht.
Sipas saj, fjalët e thëna nga Xheneta, se nuk do të prekte kurrë ish-partnerin e një shoqeje me të cilën ka ngrënë, pirë dhe kaluar kohë, në fakt kanë qenë fjalët që vetë Loredana ia kishte thënë asaj gjatë një bisede telefonike.
“Unë i kam thënë: zemra, unë kam ndenjur me ty, kemi pirë bashkë, kemi ngrënë bashkë. Nuk e bëj dot këtë gjë”, u shpreh Loredana.
Ajo sqaroi edhe situatën e vilës, e cila u bë shkak për dyshime në rrjet. Sipas Bratit, Gjesti kishte qenë në atë vend një natë më parë me stafin e tij, ndërsa ajo kishte shkuar më vonë me shoqet e saj.
“Kur vajta unë atë natë, pronarët më thanë që mbrëmë ka qenë Gjesti. Ai ka qenë me stafin e vet, ndërsa unë kam qenë me shoqet e mia”, deklaroi ajo.
Loredana mohoi kategorikisht që të jetë takuar me Gjestin në atë vilë, duke shtuar se nuk ka pasur komunikim me të që prej muajit nëntor. Ajo tha se e ka takuar vetëm në varrimin e vëllait të tij.
“Kam folur me Gjestin, kemi pasur një keqkuptim, ka ndodhur diçka me Gjestin, por nuk kam thënë asnjëherë që më ka ngacmuar. Kurrë nuk e kam thënë këtë”, u shpreh ish-banorja.
Brati shtoi se nuk do ta përdorte kurrë një situatë të tillë për famë apo klikime, duke theksuar se kjo histori daton që prej muajit nëntor dhe jo nga ditët e fundit.
Në fund, Loredana u shpreh se Gjestin e ka parë gjithmonë si shok dhe se nuk do të lidhej kurrë me ish-partnerin e një shoqeje. Sipas saj, nëse një mikeshë do t’ia bënte asaj një gjë të tillë, ajo nuk do t’i fliste më kurrë. /GazetaExpress/