Licenca që ZRrE’ja ia lëshoi dje “Elektroseverit”, kushtet dhe paralajmërimi që iu dha kompanisë - Gazeta Express
string(92) "licenca-qe-zrreja-ia-leshoi-dje-elektroseverit-kushtet-dhe-paralajmerimi-qe-iu-dha-kompanise"

Licenca që ZRrE’ja ia lëshoi dje “Elektroseverit”, kushtet dhe paralajmërimi që iu dha kompanisë

Lajme

Gazeta Express

25/06/2022 9:20

Zyra e Rregullatorit për Energji ia ka lëshuar dje licencën për furnizim me energji elektrike ndërmarrjes “Drustvo Elektrosever”, për periudhën 5-vjeçare, për katër komunat veriore të vendit. Por, cilat janë obligimet e kësaj ndërmarrje me këtë licencë dhe çfarë e paralajmëroi ZRrE’ja në fund?

Sipas licencës që Zyra e Rregullatorit për Energji ia ka lëshuar dje “Elektroseverit”, kjo kompani brenda shtatë ditëve duhet t’i sigurojë KEDS’it dhe KOSTT’it të dhënat më të fundit për konsumatorët, shkruan Express.

Lexo Edhe:

“Elektrosever” obligohet poashtu që brenda dhjetë ditëve nga data e lëshimit të licencës të nënshkruaj me KOSTT’in dhe KED’in marrëveshjet e domosdoshme teknike për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë.

Pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, Elektrosever do të pajiset me Kodin Identifikues të Energjisë në mënyrë që të zhvillojë aktivitetet e saj sipas licensës së furnizimit.

30 ditë pasi Elektrosever të pajiset me licencë, KEDS dhe KOST (nën ndërmjetësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të ketë qasje në nën-stacionin e Vallaqit si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe distribuimit.

Përveç obligimeve që duhet t’i kryej, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ia ka dhënë në fund edhe një paralajmërim kësaj kompanie.

Nëse kompania s’i përmbush kërkesat e caktuara brenda 100 ditëve nga data e lëshimit të licencës, do t’I pezullohet apo tërhiqet licenca.

“Në rast se kërkesat e cekura më lartë nuk përmbushen pas njëqind ditëve nga data e lëshimit të Licencës për furnizim, ZRRE do të ndërmar të gjitha veprimet ligjore të pezulloj dhe/ose tërheq licencën për furnizim për “Drustvo Elektrosever” D.O.O sipas legjislacionit në fuqi, në pajtim me pikën 8 të Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve për të Energjisë, e datës 21.06.2022”, thuhet në vendimin e ZRRE’së.

Ndryshe, më 21 qershor, Kosova dhe Serbia kanë miratuar një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk është zbatuar asnjëherë./ Gazeta Express