Ylli i FC Barcelona, Robert Lewandowski, është shumë pranë njoftimit për largimin e tij nga skuadra, pasi kontrata e tij skadon në fund të sezonit. Sulmuesi 37-vjeçar ka kaluar katër vitet e fundit te katalanasit dhe ka një ofertë verbale për të vazhduar edhe një vit tjetër, por gjithçka tregon se ai do të largohet.
Kushtet e Barcelonës kanë qenë që Lewandowski të pranonte një ulje të konsiderueshme të pagës dhe një rol si sulmues rezervë, diçka që është bërë e qartë edhe javëve të fundit. Deri tani, ai nuk ka dhënë një përgjigje konkrete për të ardhmen e tij.
Këtë javë u raportua se Lewandowski po kërkohej me ngulm nga skuadra portugeze FC Porto, por presidenti i klubit, Andre Villas-Boas, e mohoi këtë mundësi. Sipas gazetarit Fabrizio Romano, ai e cilësoi marrëveshjen si “financiarisht të pamundur”, duke e bërë shumë të vështirë një transferim në Portugali.
Gazetari tjetër i merkatos, Matteo Moretto, ka konfirmuar se Lewandowski është afër largimit nga klubi. Kjo është mbështetur edhe nga gazetari polak Tomasz Wlodarczyk, i cili ka deklaruar për Sport se sulmuesi është “shumë afër” njoftimit të largimit.
Ndeshja e fundit në shtëpi për Barcelonën këtë sezon është të dielën ndaj Real Betis, dhe kjo mund të jetë mundësia e fundit për Lewandowskin që t’u japë lamtumirën tifozëve, prandaj pritet që vendimi të bëhet publik në ditët në vazhdim.
Raporte të tjera nga Polonia bëjnë të ditur se nëse Lewandowski pranon ofertën e klubit saudit Al Hilal SFC, ai mund të fitojë deri në 30 milionë euro në sezon për tre vite. Alternativa tjetër kryesore mbetet Chicago Fire FC në MLS, klub që tashmë ka shprehur interes dhe është i gatshëm t’i ofrojë rreth gjysmën e kësaj shume. Edhe AC Milan dhe Juventus FC kanë pyetur për mundësinë e transferimit të tij, por aktualisht janë më prapa në garë.
Gjithsesi, duket se po mbyllet një periudhë e suksesshme e Lewandowskit te Barcelona. Ai erdhi si figura kryesore e mandatit të dytë të presidentit Joan Laporta dhe largohet katër vite më vonë me tre tituj të La Liga.