Anglia ka pësuar një goditje të rëndë nga lëndimet në prag të ndeshjes hapëse të Kupës së Botës kundër Kroacisë, pasi mbrojtësi i Newcastle, Tino Livramento, është përjashtuar nga turneu. Në vend të tij është ftuar mbrojtësi i Chelseat, Trevoh Chalobah.
Livramento pësoi një lëndim në pulpë gjatë stërvitjes të dielën.
“ESPN” raporton se ai pritet të mungojë rreth gjashtë javë. Ky afat e lë jashtë Kupës së Botës, ndaj Anglia ka vendosur ta zëvendësojë me Chalobah.
“Po bëhen tashmë përgatitjet që mbrojtësi i Chelseat t’i bashkohet ekipit në kampin bazë në Kansas City, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës do të udhëtojë drejt Dallasit, në Teksas, për ndeshjen e parë të grupit kundër Kroacisë të mërkurën”, thuhet në deklaratën e Federatës Angleze të Futbollit (FA).
“Rregulloret e FIFA-s u lejojnë skuadrave pjesëmarrëse të zëvendësojnë një lojtar të fushës deri në 24 orë para ndeshjes së tyre të parë.”
Ky lajm përbën një goditje të konsiderueshme për planet e Thomas Tuchel. Livramento mund të luajë si në krahun e djathtë ashtu edhe në të majtin e mbrojtjes, por kishte hyrë në turne me pak minuta loje, pasi kishte humbur dy muajt e fundit të sezonit për shkak të një dëmtimi në kofshë.
Ai luajti pjesën e dytë në fitoren 1-0 të Anglisë ndaj Zelandës së Re në Florida, por mbeti në stol pa u aktivizuar në miqësoren e fundit para Kupës së Botës kundër Kosta Rikës.
Chalobah ka vetëm një paraqitje me kombëtaren angleze, duke debutuar në humbjen 3-1 ndaj Senegalit në qershor të vitit 2025. Ai ishte pjesë e skuadrës edhe për dy ndeshjet e fundit kualifikuese në nëntor 2025, por në të dyja rastet mbeti zëvendësues i papërdorur.
Në sezonin e trazuar të Chelseat, forma e Chalobah ishte një nga aspektet e pakta të besueshme të skuadrës. Ai zhvilloi 34 paraqitje në Premier League sezonin e kaluar dhe shënoi tre gola.
Ai është preferuar para emrave si Trent Alexander-Arnold, Fikayo Tomori, Lewis Hall dhe Harry Maguire./GazetaExpress/