Interesi i madh i kosovarëve që jetojnë në diasporë, për të marrë pjesë në zgjedhje në Kosovë, pas secilit cikël zgjedhor është rritur dukshëm. E forma e preferuar e votimit nga diaspora, është vërejtur votimit përmes kutive postare jashtë Kosovës.
Ndërkohë, sfidë kryesore sipas organizatës Germin mbetet informimi i qytetarëve.
Në tryezën e organizuar nga Germin me temën “Votimi nga jashtë vendit, diaspora në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës”, drejtori Lirim Krasniqi tha se është rritur efekti elektoral i votave të diasporës.
“Interesi i diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje pas secilit cikël zgjedhor është rritur, me këtë është rritur edhe efekti elektoral të votave të diasporës…Mbi 64 përqind e personave që kanë votuar nga jashtë, kanë votuar përmes postës përmes kutive postare të cilat KQZ i ka hapur jashtë Kosovës dhe ky numër është rritur akoma më shumë në dhjetor të 2025, kjo është forma më e preferuar e votimit, më e lehta, efikase e e shpejta”, tha Krasniqi.
Sipas tij, një ndër sfidat kryesore mbetet informimi i qytetarëve jashtë vendit për formën e votimit dhe hapjen e qendrave të votimit e kutitë postare jashtë Kosovës.
Krasniqi rekomandoi që të qartësohet vendndodhja e qendrave të votimit jashtë Kosovës.
Në këtë tryezë diskutimi, të ftuar nga organizata ishin edhe përfaqësues të subjekteve politike.
Përveç përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, asnjë parti tjetër politike nuk morri pjesë.
Përfaqësuesja e LVV-së, Liza Gashi kujtoi se si në vitin 2010 nga diaspora ishin 5 mijë vota, ndërkohë sot ky numër është rritur jashtëzakonisht shumë.
Sa i përket pjesës së informimit, Gashi tha se ka ende punë që të informohet sakt diaspora.
Deri më tani janë aprovuar gati 110 mijë kërkesa të diasporës për votim në zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Ndërkohë në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, ishin regjistruar 77 mijë.