Hugo Ekitike ka pësuar një dëmtim të rëndë gjatë ndeshjes së kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve mes Liverpoolit dhe Paris Saint-Germainit.
Ylli i ri i “The Reds”, i cili u transferua në “Anfield” nga Eintracht Frankfurt verën e kaluar për 95 milionë euro, u lëndua teksa po sprintonte në pjesën e parë pa kontakt me kundërshtarët dhe u detyrua të largohej nga fusha me barrelë pas një trajtimi të gjatë.
Ka indikacione të forta se ai ka këputur tendinën e Akilit, shkruan “GOAL”, përcjell “Gazeta Express”.
Sipas “Cambridge University Hospitals”, rikuperimi nga një lëndim i tillë zgjatë nga 4 deri në 12 muaj për sportistët. Për rikthim në aktivitet e përditshme/ecje normale, rikuperimi mund të shkojë nga 3 deri në 6 muaj.
Mirëpo, faza fillestare e shërimit kërkon 6–8 javë imobilizim në allçi ose në një çizme mbrojtëse.
Në minutën e 28-të, Ekitike u përpoq të arrinte një top të dërguar përpara nga Dominik Szoboszlai, bëri një hap, rrëshqiti lehtë dhe u rrëzua në tokë. Ai menjëherë kapi thembrën dhe tundte kokën në mënyrë të përsëritur gjatë trajtimit.
Ndërsa stafi mjekësor hyri me shpejtësi në fushë, lojtarët kundërshtarë Achraf Hakimi dhe Willian Pacho i qëndruan pranë duke e mbajtur për dore sulmuesin e dëmtuar.

Mohamed Salah e zëvendësoi pas rreth 30 minutash lojë, ndërsa sulmuesi tani pritet të mungojë për një pjesë të konsiderueshme të sezonit të Liverpoolit, si dhe në Kupën e Botës me Francën.
Për Salah, kjo mund të ketë qenë paraqitja e tij e fundit në Champions, pasi Liverpool nuk arriti të përmbysë humbjen 2-0 nga ndeshja e parë, duke u mposhtur sërish 2-0 në “Anfield”.
Të dy golat për ekipin nga Parisi u shënuan nga fituesi aktual i çmimit Topi i Artë, Ousmane Dembélé (73’, 90+1’).
Ky do të jetë sezoni i fundit i Salahut te Liverpooli, pasi klubi dhe lojtari kanë konfirmuar se nuk do ta zgjasin kontratën që i skadon, dhe ai mund të transferohet në Arabinë Saudite pas Kupës së Botës.
Tensionet u rritën para Krishtlindjeve kur Salahu kritikoi publikisht rolin e tij në rënie, duke shprehur pakënaqësi ndaj klubit dhe trajnerit Arne Slot; si pasojë, ai u la jashtë për një ndeshje.
Ndërsa Ekitike ka shënuar 23 gola në 44 paraqitje në sezonin e tij debutues, Salah është nën standardet e tij të zakonshme, me 11 gola dhe 9 asistime në të gjitha garat.
Megjithatë, ndaj PSG ai u përpoq të tregonte vlerat e tij, duke dhënë katër pasime kyçe dhe duke regjistruar një goditje.
Në minutën e 64-t pati dramë të madhe, kur Alexis Mac Allister fillimisht fitoi një penallti në rezultatin 0-0, por VAR e anuloi vendimin./GazetaExpress/