Marrëveshja s’u procedua për seancë, çfarë ndryshimesh po kërkon VV në projektligjin për Bordin e Paqes - Gazeta Express
string(100) "marreveshjasu-procedua-per-seance-cfare-ndryshimesh-po-kerkon-vv-ne-projektligjin-per-bordin-e-paqes"

Lajme

Gazeta Express

14/04/2026 23:42

Marrëveshja s’u procedua për seancë, çfarë ndryshimesh po kërkon VV në projektligjin për Bordin e Paqes

Lajme

Gazeta Express

14/04/2026 23:42

Pas vërejtjeve të deputetëve të Vetëvendosjes, Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk e ka miratuar Projektligjin për marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

Kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se grupi parlamentar i Vetëvendosjes e mbështet në parim marrëveshjen e nënshkruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani, por ka vërejtje në nenin 2 të projektligjit.

“Neve na duhet ta dimë cilën qeverisje po e rivendosim aty. Nëse e keni para vetës projektligjin mund ta shihni dhe për cilat konflikte në botë po flasim sepse aktualisht ka shumë konflikte në botë”, tha Kryeziu-Hyseni.

Pika së cilës iu referua ajo përcakton se objektivi kryesor i Bordit të Paqes është promovimi i stabilitetit, rivendosja e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe garantimi i paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

“Objektivi kryesor i Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare është promovimi i stabilitetit, rivendosja e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe garantimi i paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, shkruan në nenin 2, pika 2 e projektligjit për anëtarësim në Bordin e Paqes.

Kryetarja e komisionit, Kryeziu-Hyseni, propozoi që të formohet një grup punues me anëtarë nga të gjitha partitë, me qëllim që të ndryshohet neni kontestues dhe projektligji të kaloj në kuvend.

Ky propozim u miratuar me 7 vota pro, përfshirë ato të Lutfi Hazirit të LDK-së dhe Elmi Reçicës së PDK-së.

Projektligjin për anëtarësim në Bordin e Paqes, Shqipëria e ka miratuar në janar. Në kapitullin e parë të ligjit – qëllimet dhe funksionet formulimi është i ngjashëm me projektligjin e propozuar nga ish-presidentja Osmani, ku gjithashtu nuk përcaktohet vendi i konfliktit ku Bordi ka mandat të ndërhyj.

“Bordi i Paqes është një organizatë ndërkombëtare që synon të nxisë stabilitetin, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të ligjshme, dhe të garantojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të tilla për ndërtimin e paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sipas asaj që mund të miratohet në përputhje me këtë Kartë, përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të zbatueshme nga të gjitha kombet dhe komunitetet që kërkojnë paqe”, thuhet në nenin 1.

E deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka kërkuar që marrëveshje të trajtohet me urgjencë.

“Është dashur që kjo marrëveshje të ishte sjellë më herët në këtë komision, më pas të procedohet me procedura të përshpejtuara në seancën plenare sepse ne po shohim që plot marrëveshje, madje edhe projektligje të zakonshme janë futur në rend të ditës me procedura duke iu shmangur rendit të ditës, ndërsa një marrëveshje me katër nene është dashur që edhe qeveria ta ketë opinionin e vetë, të ketë edhe një opinion ligjor, por nuk di që ka ndonjë të keqe këtu”, tha Kadrijaj.

Më 22 janar, në Davos të Zvicrës, presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar kartën e themelimit të Bordin e Paqes, nismë e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Nën arsyetimin se kjo organizatë synon të trajtojë edhe konflikte të tjera, dhe jo vetëm atë të Gazës, shumica e shteteve të Perëndimit nuk i janë bashkuar. /KOHA

Advertisement
Advertisement
Advertisement