E ardhmja e Rafael Leaos te Milani duket gjithnjë e më larg “San Siros”.
Sipas raportimeve të fundit nga Italia, sulmuesi portugez mund të jetë shumë pranë largimit nga klubi kuqezi gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa interesimi nga klubet evropiane po rritet dita-ditës.
Sipas mediave italiane, drejtuesit e Milanit tashmë janë të gatshëm të dëgjojnë oferta për 26-vjeçarin, me vlerësimin e kartonit të tij që aktualisht llogaritet rreth 60 milionë euro, përcjell “Gazeta Express”.
Kjo shifër është shumë më e ulët krahasuar me vitet e kaluara, kur Leao konsiderohej praktikisht i paprekshëm dhe klubi i kërkonte mbi 100 milionë euro për ta lënë të lirë.
Raportet tregojnë se në garë për yllin portugez janë futur tri klube të mëdha evropiane: Manchester United, Chelsea dhe Bayern Munich.
Klubet angleze e shohin Leaon si një përforcim ideal për repartin ofanziv, ndërsa bavarezët po e monitorojnë situatën në rast se e largojnë një nga sulmuesit aktualë gjatë verës.
Në Itali flitet se marrëdhënia mes lojtarit dhe ambientit të Milanit është ftohur ndjeshëm muajt e fundit.
Performancat jo gjithmonë bindëse, tensionet me tifozët dhe paqartësitë rreth projektit sportiv të klubit kanë bërë që një ndarje të shihet si zgjidhja më e mirë për të dyja palët.
Edhe negociatat për vazhdimin e kontratës duket se kanë ngecur.
Leao nuk është bindur nga oferta e fundit e klubit italian dhe po e shqyrton seriozisht mundësinë për të provuar një aventurë të re jashtë Serie A.
Portugezi mbetet një nga lojtarët më të talentuar të kampionatit italian.
Shpejtësia, driblimi dhe aftësia për të krijuar raste e kanë bërë një nga figurat kryesore të Milanit në vitet e fundit, por duket se cikli i tij në Itali mund të jetë drejt fundit.
Në ditët në vazhdim pritet të ketë zhvillime të reja, ndërsa afati kalimtar veror mund ta sjellë një nga transferimet më të bujshme të sezonit. /Gazeta Express